Deputetët e LVV-së vendosin tabelën me simbolet e Republikës së Kosovës – Foto: Facebook

LVV: Të Kërkohet Llogari nga Mali i Zi për ‘Agresionin’

Aksioni simbolik në kufirin me Malin e Zi, ku deputetë të Vetëvendosjes kanë vendosur një tabelë me simbolet shtetërore të Kosovës si dhe flamurin kombëtar shqiptar, ka ngjallur reagime të shumta.

Madje, Qeveria malazeze i ka dërguar Kosovës notë proteste për këtë veprim.

Mirëpo Lëvizja Vetëvendosje vazhdon të thotë se ata kanë qenë brenda territorit të Republikës së Kosovës.

Në një intervistë për KALLXO.com, deputetja Donika Kadaj-Bujupi thotë se LVV është për fqinjësi të mirë, por megjithatë do të jetë në shërbim të mbrojtjes së sovranitetit.

http://kallxo.com/lvv-qeveria-te-mos-provokoje-demarkacionin/

“Do të jemi në shërbim të mbrojtjes së sovranitetit dhe integritetit të vendit pavarësisht çmimit që do të paguajmë ose dyshimeve eventuale nëse do të ndikojë kjo në fqinjësinë e mirë. Ne në parim jemi për fqinjësi të mirë mirëpo kjo nuk nënkupton që ne duhet të falim territore”, u shpreh ajo.

Ndërsa rreth heqjes së tabelës dhe flamurit kombëtar, Kadaj-Bujupi thotë se është dashtë të ruhen nga institucionet tona.

http://kallxo.com/tabela-republika-e-kosoves-zemeron-malin-e-zi/

“Në një rrethanë normale Kosova do duhej që përmes Policisë dhe Ushtrisë së vet t’i mbrojë kufijtë dhe sigurisht që ata do të duhej të ruanin edhe tabelën dhe flamurin kombëtar”, theksoi ajo.
Sipas saj heshtja e Institucioneve kosovare në lidhje me marrjen e këtyre simboleve po tregon se ata po pajtohen me këtë agresion.
Kadaj Bujupi shtoi se si Vetëvendosje do të kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që t’i kërkojnë llogari shtetit malazez.

“Do të kërkojmë nga institucionet tona, nga Qeveria, që të kërkojnë llogari për veprimet e Malit të Zi, të cilët janë futë në territorin e Republikës së Kosovës dhe me këtë kanë bërë agresion. Për më tepër edhe kanë marrë flamurin kombëtar dhe tabelën e cila është vendosur në pikën e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi. Prandaj do të kërkojmë llogari nga Qeveria e cila do të duhej t’i fuste në funksion mekanizmat, siç është policia dhe ushtria e cila po vazhdon të mungojë, në mënyrë që të ruhen simbolet kombëtare dhe shtetërore”, tha mes tjerash deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje.