Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunacek - Foto: KALLXO.com

Lunacek: Marrëveshja me Malin e Zi Mund të Rinegociohet

“Nëse Kosova dhe Mali i Zi pajtohen që marrëveshja të rinegociohet ata mund ta bëjnë këtë. Tash për tash unë nuk po shoh se kanë qëllime të tilla, mund të provojnë, por duhet të gjendet një zgjidhje”.

Kështu deklaroi raportuesja për Kosovën në Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek në pyetjen e KALLXO.com se a mund të rinegociohet Marrëveshja për Demarkacionin.

Ndërsa e pyetur se çka nëse ratifikohet, a ka garanci që Kosova do të marrë liberalizimin, Lunacek tha: “Jo, nuk ka garanci 100% nëse Marrëveshja ratifikohet se do të ndodhë liberalizimi. Por, nëse ajo nuk ratifikohet është 100% e sigurtë që nuk do të bëhet liberalizmi”.

Nënkryetarja e Parlamentit Evropian ripërsëriti dy kushtet e mbetura për liberalizim: përmirësimin e regjistrave për rastet e dënuara për korrupsion dhe demarkimin e kufirit. Ajo tha se sot ka takuar liderët të bashkëpunojnë dhe ka nxitur ata që kjo të bëhet sa më shpejtë.

“Nëse Kosova dhe BE-ja janë dy partnerë, të dy duhet të shohin çka duhet të bëjnë, edhe Kosova do ta kryejë pjesën e vet. Nuk ndihmon ta akuzoni tjetrin. Mos i fajësoni të tjerët, kjo duhet të kryhet”, tha ajo.

Lunacek ripërsëriti atë që tha në vizitën e fundit që pati në Kosovë, se topi është në anën e Kosovës.

Ajo u pyet nga gazetarët edhe nëse duhet të ketë zgjedhje në Kosovë, por tha se kjo nuk është punë e ndërkombëtarëve, porse Kosova duhet të vendos për kohën dhe mbajtjen e zgjedhjeve.

Madje sa i përket zgjedhjes së presidentit në SHBA, ajo tregoi preferencën e saj. “Zgjedhja e Trump president nuk është lajmi më i mirë për Kosovën. Unë do të doja që Hillary të fitonte”, theksoi ajo.

Po ashtu, raportuesja për Kosovën në PE e dënoi sulmin e bërë ndaj drejtorit të RTK-së dhe kërkoi që çështja e financimi i transmetuesit të zgjidhet.