Ulrike Lunacek

Lunacek Kërkon Tërheqjen e Fletarresteve nga Serbia

Në një reagim pas ndalimit në Francë të kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, eurodeputetja e cila është edhe raportuese për Kosovën në PE tha se kjo është e papranueshme.

“Mbajtja e fletarresteve të moçme ndërkombëtare nga viti 2004 nga ana e Serbisë, e cila është në një proces dialogu me Kosovën të ndërmjetësuar nga BE, është tërësisht e papranueshme”, tha Lunacek.

“Në të njëjtën kohë, është e vështirë të kuptohet pse Franca po i ndjek këto fletarreste, duke qenë se është një vend që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, një ditë pas shpalljes së saj. Përveç kësaj, Franca ka raporte të shkëlqyeshme me Kosovën”, shtoi Lunacek.

Ajo ka kërkuar nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Federica Mogherini si dhe nga qeveritë e 28 shteteve anëtare, sidomos nga ato të 23 vendeve që e kanë njohur Kosovën, “të gjejnë fjalë të qarta për Serbinë për t’ia bërë të ditur se këto fletarreste duhet të tërhiqen”.

“Haradinaj, siç e di gjithkush, është liruar dy herë nga Tribunali i Hagës”, rikujtoi Ulrike Lunacek.