Foto: Kallxo.com

Lirohet ish-drejtoresha, dënohet shefi i drejtorisë së Inspeksionit në Drenas

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykimin në rastin e zyrtareve të Komunës së Drenasit, i cili ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Zyrtarët e Komunës së Drenasit akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare për shkak të një mbindërtimi në këtë komunë.

Kryetari i trupit gjykues Shashivar Hoti shpalli aktgjykimin me anë të të cilit Hyrije Xhemajlaj Thaçi u lirua nga aktakuza, ndërsa shefit të drejtorisë së Inspeksionit Halim Vrellakut gjykata i shqiptoi 6 muaj dënim me kusht, për një vit periudhë verifikuese.

I njëjti është i detyruar të paguajë edhe paushallin gjyqësor në vlerë prej 100 euro.

Gjykata e shkallës së parë Hyrije Xhemajlaj- Thaçin e kishte dënuar me 10 muaj burgim, ndërsa Halim Vrellakut i kishte shqiptuar burgim me kusht prej 1 viti.

http://kallxo.com/zyrtaret-e-komunes-se-drenasit-kerkojne-pafajesine-ne-apel/

Të akuzuar për këtë rast kanë qenë edhe biznesmeni Izet Kukaj, të cilin Gjykata e kishte liruar nga aktakuza, si dhe Musli Ademi, banor i këtij kompleksi për të cilin prokurori kishte hequr dorë nga ndjekja penale.

Sipas aktakuzës, Izet Kukaj, pronari i kompanisë “Elita-A” gjatë qershorit të vitit 2013 në bllokun banesor numër V në Drenas pa leje dhe në mënyrë të kundërligjshme ndërtoi një kat në nën kulm me gjithsej 14 banesa që kishin sipërfaqe 1.800 metra katrorë.

http://kallxo.com/gjykimi-per-ndertimin-pa-leje-ne-drenas/

Aktakuza precizonte se 13 nga këto banesa Izet Kukaj i ka shitur në shumën prej 252 mijë eurove, ndërsa njërën nga to e ka ndalur për vete.

Sipas aktakuzës, njërën nga banesat e mbindërtimit ilegal në objektin banesor të Drenasit e bleu vëllai i të akuzuarës Hyrije Xhemajlaj-Thaçi që në atë kohë udhëhiqte Drejtorinë e Inspektimit.

http://kallxo.com/ish-drejtoresha-e-akuzuar-pyet-a-eshte-kodi-penal-i-njejte/