Gjykata, ilustrim Foto: Pixabay

"A futemi në zyre për t'u kënaqur?", një burrë dënohet me gjobë për ngacmim seksual në Aeroportin e Prishtinës

Më shumë se një vit pasi ishte raportuar rasti, Gjykata e Prishtinës – Dega në Lipjan e ka dënuar një burrë për ngacmim seksual të një gruaje në shoqërinë e djalit të saj në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.

I pandehuri B.A është dënuar me gjobë prej 700 euro të cilën ai detyrohet ta paguajë në afat prej 15 ditëve nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Sipas vendimit të Gjykatës së Prishtinës, në rast se dënimi me gjobë nuk paguhet as me detyrim, dënimi me gjobë do të zëvendësohet me dënim me burgim, ku për një ditë burgimi do t’i llogaritet shuma prej 20 euro.

Në vendimin e gjykatës thuhet se me 3 janar 202, rreth orës 17:00, e dëmtuara L. H. D. ishte në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës në shoqërinë e djalit duke pritur për t’u pajisur me biletë udhëtimi dhe me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit është ngacmuar seksualisht me fjalë nga i pandehuri.

“Në atë mënyrë që i njëjti i drejtohet me fjalë që të linte djalin dhe të futej mbrapa në zyre për t’u kënaqur e pastaj nuk do të ketë problem me udhëtim me çka tek e dëmtuara ka shkaktuar shqetësim emocional” – thuhet në arsyetimin e vendimit të Gjykatës të datës 20 mars 2023.

Në vendim thuhet se i pandehuri në seancë kishte deklaruar se e ndjen veten fajtor dhe se e pranon fajësinë me vullnetin e tij. Po ashtu ai kishte deklaruar se kjo ishte hera e parë që kishte ndodhur një rast i tillë dhe se është i penduar për këtë gjë.

“Më vjen keq për këtë vepër, i premtoj gjykatës që nuk do ta përsëris me veprën penale” – citohet të ketë thënë i pandehuri në Gjykatë.

Prokurori i shteti është pajtuar me pranimin e fajësisë dhe i ka propozuar gjykatës që pranimin e fajësisë t’ia marrë si masë lehtësuese me rastin e matjes së dënimit.

“Gjyqtari i vetëm gjykues pasi që bindet se i pandehuri e ka kuptuar natyrën dhe pasojat e pranimit të fajësisë, pranimi i fajësisë është bërë në mënyrë vullnetare, dhe është i mbështetur në faktet të çështjes që i përmban aktakuza, dhe se aktakuza nuk përfshinë asnjë shkelje të qartë ligjore e as gabime faktike, për ketë gjykata konform nenit 248 të KPPRK-së, e pranoi pranimin e fajësisë të pandehurit” – theksohet në vendim.