Gjykata dënon Alban Dezdarin, liron nga aktakuza Bedri Krasniqin

Gjykata Themelore e Prishtinës ka dënuar Alban Dezdarin me 8 vjet burg për veprën penale ndihmë në kryerjen e vrasjes.

Ndërsa Gjykata e ka liruar Alban Dezdarin nga vepra penale e vrasjes në tentativë.

Ndërsa i akuzuari tjetër Bedri Krasniqi është liruar nga Gjykata për mungesë të provave.

Sipas gjykatës nuk është arritur të provohet fajësia e të akuzuarit Bedri Krasniqi. Kurse deshmitë e dëshmitarit Shkumbin Mehmeti i quajti “kontradiktore”.

Lidhur me Alban Dezdarin gjyqtari tha se i udhëhequr nga ndjenjat personale, ai ishte bashkuar një grupi të armatosur.

“I pandehuri Alban Dezdari ka qenë i vetëdijshëm se është duke i ndihmuar personave për të transportuat armë, të cilat u përdorën në kryerjen e krimit” – tha gjykatësi i rastit Arben Hoti gjatë gjykimit.

Lajmi në përditësim…

Historiku i aktakuzës

Aktakuza lidhur me rastin e vrasjes që aktualisht po gjykohet ishte ngritur me 21 korrik të vitit 2017 me të cilën të akuzuarit i ngarkonte me veprën penale vrasja e rëndë dhe vrasja në tentativë.

Atëbotë këto akuza binin në barrën e katër të akuzuarve, Bedri Krasniqi, Alban Dezdari, Bajram Kiqmari, Faik Shaqiri, mirëpo Gjykata Supreme përmes një aktvendimi të nëntorit të po atij viti Kiqmarin dhe Shaqirin i kishte liruar  pasi që të dy të akuzuarit ishin gjykuar vite më parë dhe se ka një aktgjykim për pushimin e hetimeve kundër tyre.

Ish-Gjykata e Qarkut në Prishtinë i kishte liruar nga akuzat Nazim Kadriun, Arben Ahmetin, Arsim Rashitin, Jeton Sylejmanin, Osman Kelmendin, Florim Ejupin, Xhavit Kosumin, Faik Shaqirin, Nezir Kelmendin, Irfan Ademin, Xhafer Zymberajn dhe Bajram Kiqmarin, ndërsa Shkumbin Mehmetin e kishte shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 30 vite burgim, më 9 nëntor 2007.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më 23.3.2004 në Podujevë, në bashkëkryerje me Agron Sylejmanin, Florim Ejupin dhe Shkumbin Mehmetin, kishin sulmuar një patrullë të UNMIK-ut të cilët ishin duke patrulluar afër fshatit Shakovicë.

Më tutje theksohet se të akuzuarit kishin qëlluar me armë së paku 108 herë në drejtim të automjetit dhe katër personave që gjendeshin në të, duke privuar nga jeta zyrtarin policor të UNMIK-ut, Possible Essuman dhe zyrtarin policor të Kosovës, Arsim Rrustollin, të cilët kishin qenë në detyrë.

Zyrtari i Policisë së Kosovës Basri Mulliqi dhe përkthyesi i UNMIK-ut Ramë Zeneli, kishin pësuar lëndime si rezultat i plumbave të shkrepur.

Sipas, aktakuzës së EULEX-it, të akuzuarit me qëllim kishin rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë të cilët ishin në automjete që vinin pas veturës së UNMIK-ut, si dhe këto dy vrasje.