Arsyetimi i gjykatës për vendimin ndaj Klan Kosova - MINT
Gjykata Komerciale e ka aprovuar kërkesën e televizionit Klan Kosova për masën e sigurisë.
Kësisoj, Gjykata Komerciale e ka aprovuar kërkesën e Klan Kosova për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve kontestuese të nxjerra nga Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave për Regjistrimin e Bizneseve në kuadër të MINT.
Sipas vendimit të gjykatës, shtyrja e ekzekutimit të vendimit të MINT ndaj Klan Kosova ka plotësuar kushtet ligjore.
Sipas vendimit, gjykata ka vlerësuar se vendimi i MINT do ta linte Klan Kosovën pa regjistrim juridik biznesor dhe rrjedhimisht ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë ekonomike që më pastaj do të rezultonte edhe në marrjen e licencës nga Komisioni i Pavarur për Media.
Tutje, gjykata thekson se me anë të këtyre veprimeve do të ndërpritej edhe marrëdhënia e punës së 220 punëtorëve dhe marrëdhëniet kontraktuale me palë e treta, që do të sillnin dëme vështirë të riparueshme.
Sipas vendimit të gjykatës, Klan Kosova ka bërë përmirësimet e duhura teknike në regjistrimin e biznesit në Maqedoninë e Veriut dhe në Kosovë dhe kjo nuk bie ndesh me interesin publik.
Gjykata ka vlerësuar faktin se Klan Kosova ushtron funksionin e ofruesit të shërbimeve mediale audiovizuale dhe vazhdimi i ushtrimit të njëjtit funksion nuk përbën shkelje të interesit publik.
Andaj gjykata në këtë rast vlerëson se mos shtyrja e ekzekutimit të vendimeve kontestuese do të ishte pikërisht në kundërshtim me interesin publik dhe garancioneve që përcaktohen në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe instrumentet ndërkombëtare të zbatueshme në Kosovë për lirinë e mediave.
KËTU mund ta lexoni vendimin e plotë të Gjykatës Komerciale.
Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kishte marrë vendim për ta pezulluar e pastaj edhe refuzuar ankesën e televizionit “Klan Kosova” ndaj vendimit për pezullim të certifikatës së biznesit.
Pas këtij vendimi, Klan Kosova e ka dëguan lëndën në GJykatën Komerciale
MINT pretendon se “Klan Kosova” Sh.P.K. pas kaq shumë vitesh kishte nisur hapa për korrigjim, vërteton se biznesi në fjalë e kishte kryer shkeljen e konstatuar nga ARBK-ja dhe se vendimi për pezullimin e certifikatës së biznesit ishte marrë me të drejtë.
Ndryshe, MINT ka dorëzuar kallëzim penal kundër “Klan Kosova” Sh.P.K. dhe pronarëve të saj.
Vendimin e Ministrisë e ka kritikuar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK).
“AGK-ja, beson se ky proces që nga fillimi ka qenë i motivuar politikisht nga partia në pushtet dhe Qeveria e Kryeministrit Kurti, në përpjekje për të mbyllur televizionin më të madh privat në vend – thuhet, ndër të tjera, në reagimin e AGK-së.