Fatmir Limaj - Foto: Facebook

Limaj: Kosova Vetë e Propozoi Demarkacionin Kusht për Vizat

Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj deklaroi sot se Kosova nuk duhet t’i hyjë në hak Bashkimit Europian sa i përket vizave, pasi që Kosova e ka propozuar vetë si kusht demarkacionin.

Këto komente i pari i Nismës i bëri në mbledhjen e Këshillit Kombëtar, ku u tha se dialogu me Serbinë, Demarkacioni dhe Gjykata Speciale janë tri çështje që duhet të zgjidhen sa më parë në mënyrë që vendi të ecë përpara.

Limaj tha se nuk mjafton që Qeveria ta dërgojë në Kuvend këtë çështje, porse marrëveshja me Malin e Zi ka lëshime dhe këto lëshime sipas tij duhet të korrigjohen në mënyrë që të arrihet një zgjidhje e përbashkët pa u prekur interesat e dy vendeve.

Si çështje tjetër që duhet të zgjidhet njëherë e përgjithmonë, Limaj ka renditur dialogun me Serbinë.

Ai tha se duhet të bashkohen të gjithë ekspertët për të diskutuar se çfarë duhet të bisedohet me Serbinë, në mënyrë që këtij dialogu t’i jepet fundi.

Limaj e quajti të çuditshëm rikthimin e Gjykatës Speciale në Kuvendin e Kosovës, sidomos për faktin se u bë nga ata që vetë e kanë votuar.

Ai bëri të ditur se iniciativa duhet të ketë përgjegjës. Teksa theksoi se si Nismë asnjëherë nuk do të kundërshtojnë drejtësinë.

Sipas tij, Nisma për Kosovën do të marrë gjithmonë vendime konform interesit shtetëror, pavarësisht sesa të vështira mund të jenë ato.

Në këtë mbledhje u diskutua për situatën e përgjithshme në vend dhe punën e deritashme të këtij subjekti, si dhe rruga për zbatimin e programit të këtij subjekti.

Edhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Nisma për Kosovën, Jakup Krasniqi tha se në mënyrë që vendi të ecë përpara, Qeveria e  Kosovës duhet t’i japë rrugë demarkacionit, asociacionit dhe Gjykatës Speciale.

Ai theksoi se Kosova ka probleme të shumta para vetes, si zhvillimi ekonomik, problemi i punësimit, problemi i arsimit, shëndetësisë dhe të tjera.

Ndërsa, sekretari i përgjithshëm i NISMA për Kosovën, Bilall Sherifi foli për sukseset e Nismës në katër vitet e fundit, ku tha se si rezultat i angazhimeve të mëdha, sot kjo parti përfaqësohet me dinjitet në nivelin qendror dhe atë lokal.

Ai tha se slogani “Ka ardhur koha për Nismën” që është përdorur gjatë fushatës elektorale, tashmë duhet të zëvendësohet me sloganin “Ka ardhur koha për të mbajtur fjalën”. /21Media