Lajçak pas takimeve me kryenegociatorët Bislimi e Petkoviq: U dakorduam për një sërë hapash në vijim
Ka përfunduar takimi trepalësh në Bruksel i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, me emisarin e Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak.
Lajçak tha se pas më shumë se shtatë orë takimesh janë dakorduar për një sërë hapash.
“Sapo përfunduan më shumë se shtatë orë takime në nivelin e kryenegociatorëve. Me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe me drejtorin Petar Petkoviq diskutuam gjerësisht për një sërë çështjesh dhe u dakorduam për një sërë hapash në vijim”- ka shkruar Lajçak.
Just finished more than seven hours of meetings on the level of Chief negotiators. With DPM @BislimiBesnik and Director @PetkovicPetar we discussed a wide range of issues and agreed on a number of follow-up steps. pic.twitter.com/h2hMwgmrmo
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) July 2, 2024
Paraprakisht, emisari Lajçak ka zhvilluar takime të ndara me zëvendëskryeministrin e Kosovës, Besnik Bislimi dhe me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbis, Petar Petkoviq. Keto takime u pasuan me një takim trepalësh.
Ndonëse angazhimi i Kosovës në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë u kushtëzua nga tri garanci që kryeministri Albin Kurti i kërkoi prej ndërmjetësve të Bashkimit Europian gjatë javës së kaluar, një takim në nivel kryenegociatorësh, me ndërmjetësim të emisarit Mirosllav Lajçak, megjithatë u planifikua që të mbahet të martën, më 02.07.2024.
Tri garancitë e Kurtit; nënshkrimi i marrëveshjes bazike për normalizimin e raporteve, tërheqja e letrës së ish-kryeministres serbe dërguar shteteve anëtare të BE-së dhe dorëzimi i Millan Radoiçiqit, pasuan me mosmbajtjen e një takimi trelateral me ndërmjetësit dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Këta të fundit, sipas ekzekutivit kosovar, nuk ishin të gatshëm t’i plotësonin këto kushte.
Për takimin në nivel kryenegociatorësh u paralajmërua se do të punohet për zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjes bazike për normalizimin e marrëdhënieve.
“Diskutime sfiduese si kurrë më parë” – i ka cilësuar Lajçak takimet më 26.06.2024, kur ai me Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell zhvilluan takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kryeministri theksoi se përmes tri kërkesave ka kërkuar garancion për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilët, sipas tij, mundësojnë zbatimin e marrëveshjes.
“Siç e tha edhe vetë Borrell, unë kam kërkuar garanci për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilat mundësojnë zbatimin e marrëveshjes. Nuk mund të ketë zbatim të marrëveshjes pa mirëbesim dhe pa vullnet të mirë dhe këto vijnë nëpërmjet tri garancive që kam theksuar. E para është nënshkrimi i marrëveshjes bazike. Vetëm nënshkrimi marrëveshjes sjell sigurinë ligjore juridike dhe anulon shkeljet e mëhershme”- u shpreh ai.
“Garancia e dytë është tërheqja e letrës së Bërnabiq sepse aty thotë që nuk pranohet pavarësia e Kosovës, ulësja në OKB dhe integriteti territorial … Kurse garancia e tretë që kam kërkuar është dorëzimi i kryekriminelit Milan Radoiçiqit dhe i bandës së tij terroriste autoriteteve të Kosovës. Ne nuk mund ta ngjallim rreshterin e vrarë Afrim Bunjakun, por Serbia duhet të na dorëzojë Millan Radoiçiqin”- shtoi Kurti.
Kryenegociatorët Bislimi dhe Petkoviq kanë mbajtur një sërë takime trepalëshe me ndërmjetësim të Lajçak, porse shumica prej tyre si fokus kanë pasur çështjen e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila parasheh euron, si valutën e vetme në vend.
Edhe pas shtatë takimeve, palët nuk kishin arritur pajtim për ndonjë zgjidhje kompromisi.
Ndërkaq, Kurti dhe Vuçiq për herë të fundit u takuan më 14.09.2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ky takim rezultoi pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve.
Në mars të vitit 2024, u shënua një vit qëkur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri kosovar dhe presidenti serb, ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023.
Dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.
Kosova merrte obligime për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura më herët, përshirë atë që e parasheh krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa Serbia nuk do ta kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.
Dhe, me gjithë pritjet se gjërat po merrnin rrjedhë pozitive, zhvillimet e mëvonshme në terren quan procesin në kah krejt të kundërt. E marrëveshja mbeti vetëm në letër.
Takimi në nivel kryenegociatorësh pas kushteve të vëna nga Kurti, skepticizëm për rezultate konkrete