Foto: MPJD

Ministria e Jashtme s’i raporton kontratat milionëshe për blerjen e tri objekteve për ambasada

Mbi 10 milionë euro janë shpenzuar nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) për t’i blerë tri objekte të ambasadave të Kosovës në tri shtete të ndryshme si dhe një veturë (kombi) për një ambasadë tjetër.

Edhe pse ka nënshkruar katër kontrata publike, ministria përkatëse nuk i ka raportuar ato në raportin vjetor të kontratave publike për vitin 2023. Kjo gjetje është bërë publike në raportin e auditimit nga Zyra Kombëtare e Auditimit.

Sipas kësaj gjetje, në raportin vjetor të kontratave të nënshkruara publike të MPJD-së për vitin 2023, nuk janë raportuar kontratat për blerjen e ambasadave të Kosovës në Londër, Senegal dhe në Kroaci, të cilat të gjitha janë nënshkruar gjatë vitit 2023.

Objekti i ambasadës së Kosovës në Londër është blerë 6,771,115 euro, e nënshkruar me datë 23.03.2023; objekti i ambasadës së Kosovës në Senegal është blerë 1,600,000 euro, e nënshkruar me datë 23.02.2023; ndërkaq, në Kroaci është blerë objekti i ambasadës në vlerë 2,950,000 euro, e nënshkruar me datë 12.12.2023.

Përveç këtyre, Ministria e Jashtme ka blerë edhe një veturë (kombi) për ambasadën e Kosovës në Bruksel në vlerë 60,150 euro me datë 15.12.2023, për të cilën ZKA thotë se nuk është raportuar në raportin e vitit 2023.

Neni 17.3 i Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurim Publik obligon që në fund të vitit autoritetet kontraktuese do të hartojnë një raport përmbledhës vjetor për çdo kontratë publike që është nënshkruar në vitin fiskal paraprak.

Sipas ZKA-së, kontratat e nënshkruara nga Misionet Diplomatike dhe Konsullore (MDK) nuk ishin përfshirë në raportin vjetor të kontratave publike si pasojë e pamundësive teknike pasi që procedurat e zhvilluara të MDK-ve nuk kryhen përmes sistemit të e-prokurimit dhe nuk mund të gjenerohet raporti përmbledhës.

Megjithatë, ZKA vlerëson se mospërfshirja e kontratave të realizuara për MDK-të në raportin e kontratave të nënshkruara publike nuk pasqyron një gjendje reale të kontratave të realizuara në vitin 2023. 

“Po ashtu, duke pas parasysh faktin që këto kontrata përfshijnë 98% të buxhetit të realizuar për investime kapitale nga ministria”- shkruan në raport.

Për këtë gjetje, ZKA ka rekomanduar Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës që në bashkëpunim me “Komisionin Rregullativ për Prokurim Publik” (KRPP) duhet të ndërmarrin masa në gjetjen e një alternative të qëndrueshme për përfshirjen e të gjitha kontratave të realizuara nga MDK-të, në kuadër të raportit vjetor të kontratave të realizuara publike, me qëllim të pasqyrimit të gjendjes reale të kontratave të realizuara të ministrisë.

Sipas të dhënave të ZKA-së, buxheti final për investime kapitale të MPJD-së, ishte 12,705,000 euro dhe prej tyre gjatë vitit 2023 ishin shpenzuar 11,760,746 euro. Këto shpenzime kanë të bëjnë me blerjen e objekteve të ambasadave në MDK, blerje të veturave për MDK, furnizim me pajisje të teknologjisë informative etj.

Deri në fund të auditimit të ZKA-së për vitin 2023, nga 12 rekomadimet e dhëna, shtatë prej tyre janë zbatuar, katër nuk janë zbatuar si dhe një rekomandim është zbatuar pjesërisht.

Auditimi i pasqyrave financiare të MPJD-së është bërë për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2023.