Foto: KALLXO.com

Dy nga tre të akuzuarit për grabitjen në pompën e derivateve në Prishtinë e pranojnë fajësinë, njëri jo

Në Gjykatën e Prishtinës është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar ndaj të akuzuarve Valdrin Krivaqa, Diar Kurti dhe Ruzhdi Hasani, të cilët po akuzohen për veprën penale – grabitje.

Gjatë seancës së sotme, 03.07.2024, të akuzuarit janë deklaruar lidhur me veprën penale me të cilën ngarkohen.

“Unë e pranoj fajësinë për veprën penale dhe në atë moment kam qenë nën ndikimin e drogës sepse e konsumoj atë” – deklaroi i akuzuari Valdrin Krivaqa.

“Unë jam i pafajshëm” – deklaroi i akuzuari Diar Kurti.

“Unë jam fajtor” – deklaroi i akuzuari Ruzhdi Hasani.

Pas deklarimit të të akuzuarve, gjyqtari i çështjes kërkoi mendimin e prokurores Javorka Përlinçeviq dhe të mbrojtësve sa i përket pranimit të fajësisë.

Prokurorja u pajtua me pranimin e fajësisë nga ana e të pandehurve Valdrin Krivaqa dhe Ruzhdi Hasani, prandaj i propozoi Gjykatës që pranimin e fajësisë nga të pandehurit ta pranojë ndërsa për të akuzuarin Diar Kurti, i cili nuk e pranoi fajësinë, propozoi që t’i vazhdohet masa e paraburgimit dhe nëse është e pajtimit procedura penale ndaj tij të veçohet.

“Konsiderojmë si rrethanë lehtësuese se gjykata duhet të marrë parasysh faktin e sqarimit të kësaj çështjeje në Prokurori duke e përshkruar në tërësi situatën se si ka ndodhur duke shpjeguar faktin se ka qenë nën ndikimin e substancave narkotike të llojit kokainë” – tha avokati Skender Musa, mbrojtësi i të pandehurit Valdrin Krivaqa.

Ndërsa avokatja Merita Bajraktari, e cila është mbrojtësja e të akuzuarit Ruzhdi Hasani, propozoi që të mbrojturit të saj t’i ndërpritet masa e paraburgimit.

Gjykata me gjykatës Naser Foniqin mori aktvendim të pranohet pranimi i fajësisë nga Valdrin Krivaqa dhe Ruzhdi Hasani pasi që janë bindur se të njëjtit e kanë kuptuar natyrën dhe pasojat e veprimit të tyre.

Po ashtu, Gjykata mori aktvendim të veçohet procedura ndaj të akuzuarit Diar Kurti me qëllim që procedura ndaj të tij të vazhdojë veçmas nga të akuzuarit Valdrin Krivaqa dhe Ruzhdi Hasani të cilët e kanë pranuar fajësinë.

Sa i përket propozimit për vazhdimin e paraburgimit për të akuzuarin Diar Kurti, Gjykata do të vendosë me aktvendim të posaçëm brenda afatit ligjor.

Shpallja e aktgjykimit për të akuzuarin Valdrin Krivaqa dhe Ruzhdi Hasani do të bëhet më 05.07.2024.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?

Sipas dosjes së Prokurorisë, më 04.02.2024 rreth orës 23:55 në pompën e derivateve “Shell Petrol”, e cila ndodhet në Prishtinë, të pandehurit në bashkëkryerje e pas marrëveshjes paraprake kanë kryer plaçkitje të punëtorëve të pompës.

Sipas aktakuzës, me të arritur në pompë me veturën e tipit “Audi Q5” ngjyrë hiri, te cilën e ka drejtuar Diar Kurti, të pandehurit Valdrin Krivaqa dhe Ruzhdi Hasani kanë hyrë në market të pompës së derivateve dhe fizikisht kanë sulmuar punëtorët e pompës së derivateve tani të dëmtuarit E.K. dhe G.G. gjithë kohës duke kërkuar të holla me kanosjen që do të nxjerrin armë në qoftë së të dëmtuarit nuk ua japin.

Tutje, sipas aktakuzës, të pandehurit kanë marrë të holla nga arka e marketit në vlerë 149,95 euro dhe 4 pako të cigareve në vlerë të përgjithshme 12,40 euro. Po ashtu, të dëmtuarve ata ua kanë kontrolluar xhepat duke kërkuar të holla.

Ndërsa i pandehuri Diar Kurti ka mbetur në veturë në vendin e shoferit dhe ka pritur Valdrin Krivaqën dhe Ruzhdi Hasanin e kur këta kanë dalë nga marketi menjëherë kanë ikur nga vendi i ngjarjes me veturën e përmendur.