Foto: KALLXO.com
“Sistemi i çoroditur”: Një infermiere përkujdeset për rreth 20 pacientë në Infektivë
Në secilin repart të Klinikës Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë të shtrirë 15 deri 20 pacientë. Për ta, gjatë pjesës më gjatë të ditës, përkujdeset vetëm nga një infermiere.
Për 17 orë rresht- prej orës 14:00 kur përfundon ndërrimi i rregullt e deri në orën 07:00 të mëngjesit kur fillon ndërrimi tjetër, infermieret e kujdestarisë përpiqen t’i trajtojnë ashtu siç duhet të sëmurët.
“S’di qysh na e çon Zoti këtë forcë” – thotë në kushte anonimiteti njëra prej infermiereve të kësaj klinike. Për t’u kujdesur më mirë për pacientët, sipas saj, duhet të jenë së paku dy infermierë kujdestarë në një repart.
Këtë e thotë edhe një infermiere tjetër. “Kur më duhet të shkojë për ndonjë konsultim, analizë a CT për pacientë, reparti mbetet vetëm”, shpjegon ajo.
“I them infermieres së repartit tjetër ‘këqyrmi pacientët’, a edhe ajo i ka 20 pacientë në repart të sajin” – vazhdon kjo infermiere.
Ngarkesën e madhe të infermiereve në Infektivë e ka vërejtur edhe familjarja e një pacienteje, nëna e së cilës ka dy javë që është e shtrirë në këtë klinikë. Megjithatë, ajo nuk ka asnjë ankesë sa i përket përkujdesjes që i ofrohet të ëmës së saj.
“Kurrë- kurrë nuk ndalen. Që dy javë që më ka ra me i pa, unë këso infermieresh të mira s’kam pa kurrkund. Me pasë edhe në klinika të tjera këso infermieresh, ish kanë suksesi ma i madh” – shprehet ajo.
Sipas drejtorit të Infektivës, Arben Vishaj, kjo klinikë ka numër të mjaftueshëm të infermierëve, por një pjesë e konsiderueshme e tyre nuk janë efikas për të punuar gjatë kujdestarisë.
“Unë jam shumë i pakënaqur që një grupi të motrave u bie ngarkesë shumë e madhe, e një grupi tjetër- për shkaqe shëndetësore, po ju bie me pushu. Edhe ato kur janë kanë të reja këtë vuajtje e kanë pasë” – thotë Vishaj i kontaktuar nga KALLXO.com.
Një pjesë e stafit infermieror, sipas tij, është i shtyrë në moshë, një pjesë është me sëmundje kronike e një tjetër në pushime të lehonisë. Krejt këto rrethana pamundësojnë aftësinë e tyre për të punuar gjatë kujdestarive, shpjegon Vishaj.
“Me letra jemi shumë mirë, por në esencë jemi jashtëzakonisht keq. E kemi stafin e vjetër. Kemi gra në moshën 62 vjeçare. Qysh me e shti ato në kujdestari? I kemi nja 7 ose 8 që janë me sëmundje kronike. Dhe, i kemi nja 10 që kanë lind e s’mundemi me i aktivizu në kujdestari” – deklaron ai.
I pyetur për këtë çështje, Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (ShSKUK), Elvir Azizi, thotë se ka kërkuar nga burimet njerëzore që të informohet për numrin e infermierëve të liruar nga ndërrimi i natës dhe nëse arsyetimet e tyre janë valide.
“Kam kërkuar me më informu saktësisht për numrin e infermierëve dhe llojin e lejeve që i kanë për mos me marrë pjesë në ndërrimet e natës- arsyetimet që i kanë, për me pa a korrespondon kjo me atë që drejtori i klinikës deklaron” – thekson Azizi për KALLXO.com.
Sipas informatave të tij jozyrtare, janë mbi 30 infermierë që kanë leje të tilla në këtë Klinikë. Por, Azizi thotë se raste të tilla ka edhe në klinika të tjera.
Kjo gjendje është problematike edhe për pushimet vjetore dhe pauzat, siç thonë infermieret.
“Ende s’i kanë kry pushimet e 2023-tës. S’munden as pauzën me e mbajt qysh duhet. A munden a s’munden me hangër diçka” – thotë njëra prej infermiereve teksa flet për koleget e saj.
Kjo gjendje, sipas saj, është përkeqësuar sidomos kohëve të fundit.
Menaxhimi i “zorit”
Kryeinfermierja e Klinikës, Zyrafete Ukaj thotë se duhen së paku nga dy infermierë kujdestarë në çdo repart.
“Deri në orën 14 është motra e ndërrimit, motra e paradites dhe motra kryesore. Prej orës 14 e vazhdon deri në 7 mëngjes motra e ndërrimit” – thotë Ukaj.
E pyetur se si i menaxhojnë pushimet vjetore apo ato mjekësore, ajo përgjigjet: “po i menaxhojmë qysh po mundemi”.
“Nëse është mungesë e infermierëve e marrim prej reparteve të tjera ku kemi më shumë dhe e transferojmë në repartin tjetër- e mbulojmë. Fundi fundit edhe motrat kryesore ose unë duhet me hy në ndërrim. Kështu po gjendemi diqysh” – shpjegon ajo.
Ukaj thekson se kërkesa për më shumë infermierë është bërë rregullisht nga drejtori i Klinikës dhe se u është premtuar shtimi i numrit pas konkursit të radhës.
ShSKUK hapi konkurs më 07.06.2024 për 300 vende të reja pune, përfshirë infermierë, laborantë, teknikë të farmacisë e të radiologjisë.
Drejtori Vishaj thotë se nga konkursi i fundit i Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (ShSKUK) për infermierë kanë pranuar tre të tillë. Por, sipas tij, kjo sërish nuk e ka lehtësuar situatën.
Edhe drejtoria e ShSKUK-së, sipas tij, e ka konsideruar të arsyeshme kërkesën dhe i ka premtuar edhe katër infermierë të rinj pas përfundimit të konkursit të ri që është paralajmëruar se do të hapet.
“Ata (drejtoria) janë plotësisht të vetëdijshëm por s’ki qysh ia bën. Nuk mundesh në kundërshtim me ligjin me i thanë mos lind, leje fëmijën natën e hajde në kujdestari. Ligji mu ma thotë si drejtor edhe motrën 64 vjeç me e shti në kujdestari, me nejt 12 orë … por në praktikë s’muj e zbatoj, se s’mundet ajo me shku” – thotë Vishaj.
I pyetur nëse kanë provuar të bëjnë transferime me klinikat e tjera, ai thotë se kjo është punë e ShSKUK-së, e jo e Klinikës.
Ndonëse drejtori i ShSKUK-së thotë se nuk jep premtime të tilla, megjithatë deklarohet se i merr në konsideratë të gjitha kërkesat në mënyrë që t’i shqyrtoj më pas me divizionin e burimeve njerëzore.
“Ne ndoshta në biseda tona mund t’i diskutojmë shumë gjëra, por e para është që unë nuk premtoj 4 ose 5 infermierë diku. Faktikisht unë e marr në konsideratë çdo kërkesë të tyre dhe me burimet njerëzore krijohet një plan i cili tash e tutje do të jetë fluid, i rrjedhshëm” – thotë Azizi.
Si u “çorodit” sistemi?
Organizimi i brendshëm, sipas drejtorit Azizi, ka qenë i çrregulluar për një kohë të gjatë dhe kjo ka ndikuar që të “çoroditet sistemi”. Në të kaluarën, sipas tij, në mungesë të një plani të mirëfilltë punësimet nuk janë bërë siç ka qenë nevoja.
“Në këtë organizatë deri tash nuk është zëvendësuar personeli që ka dalë në pension ose që e ka lënë punën. Nuk ka pasë një organizim. Thjesht gjithçka ka qenë e çrregulluar. Për shembull ka dalë një specialist, është punësuar një infermier. Ka dalë një infermier, është punësuar një punëtor i administratës. Dhe pas një periudhe kaq të gjatë kohore është çoroditë sistemi” – thotë ai.
Azizi ka një vit që e ka marrë timonin e institucionit më të madh shëndetësor në vend.
Teksa thotë se janë hapur edhe shërbime të reja pa u planifikuar personeli, ai kujton rastin e Spitalit të Fëmijëve, një pjesë e objektit të së cilës nuk shfrytëzohet fare në mungesë të punonjësve.
Përmirësimin e kësaj gjendjeje, Azizi thotë se planifikojnë ta bëjnë përmes krijimit të mekanizmave që do të monitorojnë në vazhdimësi shpërndarjen e infermierëve si dhe autorizimin e tyre për të bërë rishpërndarje në krejt Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).
Këtë, ai thotë se do ta bëjnë përmes Statutit të ri të QKUK-së, i cili është në proces të krijimit.
Transferet e bëra në mënyrë ad-hoc, siç shpjegon Azizi kanë mbipopulluar me infermierë disa klinika, ku puna është më komode, e në të njëjtën kohë kanë varfëruar ato ku puna është më e rëndë.
Azizi thotë se krejt kjo ndodh edhe për shkak se vetë infermierët preferojnë që të punojnë në klinikat ku puna është me intensitet më të ulët.
“Zgjidhjet ad-hoc nuk janë gjithmonë të mira. Mundesh me e shu një zjarr, por tërë kohën ka zjarre këtu” – thotë drejtori.
“Në disa klinika si Mjekimi Intensiv Qendror e Emergjencë stafi dërrmohet prej punës. Këtë staf fatkeqësisht ne nuk mundemi me e stimulu financiarisht me ndejt atje, se paga është e caktuar me Ligjin për Paga. Ky staf ka tendencë me u largu si në krejt botën” – shton ai.
Megjithatë, ai thotë se po lobon që në ndryshim të Ligjit për Paga “të përmirësohet situata e infermierëve”, të cilët ai i konsideron si shtyllë jetike të shëndetësisë.
Në klinikat ku natyra e punës dhe fushat e mjekësisë janë të ngjashme, ai thotë se planifikojnë të bëjnë edhe rotacione.
Në planet e menaxhmentit është edhe krijimi i një njësie gjysmë-intensive, e cila do të shkarkonte shumë presionin në Mjekimin Intensiv Qendror, duke trajtuar rastet që janë më të lehta.
“Kemi plan të krijojmë një njësi të gjysmë-intensives, e cila do ta shkarkojë presionin që bëhet mbi mjekimin intensiv qendror, i cili shpesh është me kapacitete të plota dhe na e rrezikon edhe jetën e pacientëve që vijnë me trauma prej aksidenteve apo me lëndime të rënda, që s’ka vend në intensivë. Problemi kronik është me numër të vogël të shtretërve të mjekimit intensiv” – thotë ai.
Ideja e tij është që stafin që ka punuar për dhjetëra vite në Mjekim Intensiv e që kanë kaluarën “burnout”, ta zhvendosin në këtë njësi, ku intensiteti i punës është më i ulët, por megjithatë duhet ekspertiza e profesionistëve me përvojë.
“Po, jemi kah mendojmë të bëjmë rotacione, por vetëm aty ku mundemi. Dikujt që e ka merituar, se i ka kaluar 20-30 vjet me një vend pune, t’ia krijojmë kushtet që t’i presë ditët e fundit në vend të punës, në një vend ku ekspertiza e tij duhet me qenë, po ku tempo e punës është pak më e ulur, për me ia dhanë një punë më të dinjitetshme” – deklaron ai.
Standardet botërore për raportin infermier – pacientë janë të ndryshme nga shteti në shtet dhe varen prej fushës së mjekësisë, ndërrimit të mëngjesit, mesditës apo natës. Ato mund të jenë nga 1 infermier për 2 pacientë në emergjencë e intensivë, në 1 infermier për 6 pacientë në psikiatri. Ndërkaq, gjatë ndërrimeve të natës, numri i infermierëve për pacientë është më i vogël deri në një infermier për 10 pacientë.
KALLXO.com ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe ShSKUK nëse kanë një standard në të cilin bazohen, mirëpo asnjëri institucion nuk ka ofruar të dhëna të tilla.
Ministria e Shëndetësisë ka ofruar të dhëna vetëm për numrin e infermierëve për kokë banori.
“Bazuar në të dhënat për sistemin publik të kujdesit shëndetësor në Kosovë janë 4.1 infermierë për 1 mijë banorë, që është më i ulët se në shtetet e BE-së (4.9 infermierë për 1 mijë banorë) dhe të gjitha shtetet e rajonit, me përjashtim të Maqedonisë (3.8 infermierë për 1 mijë banorë)” – thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Infermierët në Kosovë kanë protestuar ndër vite duke kërkuar kushte e paga më të mira. Migrimi i tyre në vende perëndimore vazhdon të jetë problem që karakterizon sistemin e shëndetësisë.