Tryeza e organizuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Konsumatorit - Foto: Kallxo.com

Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorit Shkon në Kuvend më 31 Mars

Në tryezë u tha se Projektligji i mbështet konsumatorët, duke i trajtuar problemet dhe ankesat e tyre.

Me këtë rast, Nijazi Shala, udhëheqës i Departamentit për Mbrojtjen e Konsumatorit në Ministrinë e Tregtisë dhe industrisë (MTI), tha se Projektligji shumë shpejt do të kalojë në Kuvend.

Ndërsa, Agron Maxhuni, sekretar i përgjithshëm në MTI tha se tri shtyllat kryesore të Projektligjit janë shëndeti, siguria dhe mbrojtja e të drejtave të konsumatorit.

Ai theksoi se konsumatori ka të drejtën e ankesës ndaj cilësisë së produktit apo ndonjë padrejtësie që i bëhet gjatë shërbimeve si konsumator.

“Ne po punojmë me organizata të shoqërisë civile për të siguruar koordinimin mes Qeverisë dhe shoqërisë civile”, tha ai, duke shtuar se janë 30 ligje të cilat e prekin drejtpërdrejt konsumatorin dhe shumë shpejt ato do të jenë në shërbim të konsumatorit.

Ndërsa, Selatin Kaçaniku nga organizata joqeveritare ”Konsumatori” tha se Projektligji për Mbrojtje të Konsumatorit do të procedohet në Kuvend më 31 mars.

Kaçaniku theksoi se ky Ligj është shembull për nga dinamika, zhvillimi, përshtatja e kohës dhe harmonizimi me kërkesën juridiko-ligjore me BE-në.

Sipas tij, ky Ligj nënkupton edhe obligime për Qeverinë.

Kurse, Artan Demolli, kryesues i Këshillit për Mbrojtjen e Konsumatorit, tha se për herë të parë MTI mbështet mbrojtjen e konsumatorit. “Ky Ligj do të jetë feksibil karshi shoqatave të mbrojtjes së konsumatorit”, theksoi ai.

Redaktoi: Naser Sertolli