Logoja e Kompanise Regjionale "Pastrimi" Foto: Facebook
Kompania “Pastrimi” faturon më shumë konsumatorë sesa që i ka në kontratë me Komunën e Prishtinës
Kompania rajonale “Pastrimi” ka numër më të madh të konsumatorëve të faturuar nga sa parashihet me kontratë.
Kështu potencohet në gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimt (ZKA) për pasqyrat financiare të kësaj kompanie.
Për tremujorin e parë dhe të dytë të vitit 2020 janë faturuar 73,616 konsumatorë, për tremujorin e tretë 69,897 konsumatorë, ndërsa për tremujorin e katërt 72,457 konsumatorë.
Në anën tjetër, kompania kishte faturuar Komunën bazuar në numrin e konsumatorëve të përcaktuar në kontratë që është 58,000.
Këto mangësi, zyrtari i Financave i ka arsyetuar se menaxhmenti i ndërmarrjes është në kontakt të vazhdueshëm me Komunën që me rastin e ripërtëritjes së kontratës këto mangësi të korrigjohen, me qëllim të harmonizimit të numrit të konsumatorëve të faturuar.
Në raportin e Auditorit theksohet se neni 10.11 i kontratës (për periudhën janar dhjetor 2020) e lidhur ndërmjet kompanisë dhe Komunës së Prishtinës, për ofrimin e shërbimeve primare të menaxhimit dhe grumbullimit të mbeturinave në Komunën e Prishtinës, përcakton se ndërmarrja do të sigurohet që faturat e pranuara nga Komuna përmes stafit të saj t’i dërgojë te konsumatorët e shërbimit.
Ndërsa, sipas nenit 11.5, Komuna do ta paguajë ndërmarrjen për shërbimin në bazë të numrit të konsumatorëve të shërbimit për 58,000 konsumatorë me çmimin 3.80€. Vlera totale e kontratës ishte 2,967,948 euro.
ZKA rekomandon se bordi i drejtorëve duhet të rishqyrtojë kushtet e kontratës me Komunën e Prishtinës duke u siguruar që këto kushte të jenë të favorshme për të dyja palët.
Tutje sipas ZKA-së, Pasqyrat Financiare të kompanisë “Pastrimi” nuk paraqesin një pamje të drejtë dhe të vërtetë të pozitës financiare të KRM “Pastrimi sh.a.” deri më 31 dhjetor 2020, të performancës së saj financiare, si dhe rrjedhës së parasë së gatshme për vitin 2020 në përputhje me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF).