Arkiv - Kuvendi i Kosovës, Foto: KALLXO.com

PDK dhe LDK nuk e votojnë Projektligjin e propozuar nga ministrja Rozeta Hajdari

Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë marrë pjesë në votimin e Projektligjit për plotësimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Këto dy parti kanë deklaruar se nuk votojnë për ligje që vijnë në Kuvend nga Ministria që udhëhiqet nga ministrja Rozeta Hajdari pas dënimit të saj për mosdeklarim të pasurisë.

“Grupi jonë nuk mund ta mbështesë Ligjin sepse kemi të deponuar një draft-rezolutë për shkarkimin e ministres Hajdari. Nuk mund të mbështesim përkohësisht asnjë nismë ligjore që vjen nga ministrja e papërgjegjshme dhe e pakompetencë që bart në vete edhe barrë dënimet e gjykatave”- ka thënë Ferat Shala i PDK-së.

Ndërsa, deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë se për të është e paimagjinueshme që në Kuvend të sillen ligje nga një ministre e dënuar nga Gjykata.

“E konsideroj të paimagjinueshme që në Kuvendin e Kosovës të lejohet të sjellë ligje një ministre e dënuar nga Gjykata për fshehje të pasurisë dhe një ministre që është në proces gjyqësor për shkeljen e një fëmije 9-vjeçar, të paktën kështu po pretendohet”- ka thënë Besian Mustafa.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka thënë se përgjigjet lidhur me këtë çështje do t’i adresojë përmes mocionit.

“Janë të pavërteta deklaratat e deputetëve Ferat Shala dhe Besian Mustafa. Do të ju përgjigjem në mocionin që do të diskutohet prandaj nuk po e diskutoj këtu. Përgjigjet do i keni në mocionin kundër meje”- ka thënë ajo.

Pas këtyre diskutimeve, kryetar i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ka hedhur në votim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Më 53 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, nuk ka kaluar ky Projektligj në parim.

Gjykata në Prishtinë më 29 dhjetor 2022 ka gjetur fajtore ministren e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, për mosdeklarim të pasurisë.

Të njëjtën Gjykata e ka dënuar me 700 euro dënim me gjobë, pasi që e njëjta e kishte pranuar fajësinë.

Prokuroria e akuzon Rozeta Hajdarin se në cilësinë e ministres së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike në Qeverinë e Republikës së Kosovës nuk  e ka respektuar Ligjin dhe ka kryer veprën penale – mosraportim i pasurisë ose raportim i rremë i pasurisë.

Prokuroria pretendon se edhe pse ministrja ishte e njoftuar me kohë për detyrimin e deklarimit të pasurisë me rastin e marrjes së detyrës si ministre, e edhe pas shtyrjes së afatit nga Agjencia Kundër Korrupsionit për shkak të pandemisë, e njëjta përsëri nuk e ka bërë deklarimin e pasurisë.