Çfarë nënkupton një euro në rënie karshi dollarit për konsumatorët në Evropë dhe SHBA

Ndërkohë që euro po shkon drejt barazisë me dollarin amerikan, tregtarët e monedhave thonë se kjo rënie e euros nuk ka gjasa të ndalet me kaq. Ndërsa një euro e dobësuar duhet të jetë shqetësuese për konsumatorët evropianë, amerikanët që e vizitojnë Evropën mund të përfitojnë.

Euro ka pësuar një mposhtje të madhe ndaj homologut dollarit që nga pushtimi rus i Ukrainës në muajin shkurt, duke rënë në nivelin e saj më të ulët në 20 vjet pasi rritja e çmimeve të gazit dhe pasiguria rreth furnizimit rus me energji nxitën frikën e recesionit në eurozonë.

Monedha e përbashkët evropiane po tregtohej deri në 1.0007 dollarë të martën – një rënie e shpejtë nga niveli i 1.15 dollarëve përpara se Rusia ta niste luftën në Ukrainë. Rënia e mprehtë e ka sjellë euron afër arritjes së barazisë ndaj dollarit amerikan për herë të parë që nga fundi i vitit 2002.

Pse po bie euro?

Përkeqësimi i përgjithshëm i perspektivës së eurozonës mes rritjes së çmimeve të gazit dhe frikës se Rusia do t’i ndërpresë furnizimet me gaz natyror po e zvarrit monedhën e përbashkët. Mbështetja e madhe e ekonomive të mëdha, të tilla si Gjermania dhe Italia nga gazi rus i ka dekurajuar dhe demoralizuar investitorët  ndërkohë që ekonomistët parashikojnë një recesion shumë më të shpejtë dhe më të dhimbshëm në eurozonë sesa në SHBA.

Kësaj i shtohet edhe diferenca në nivelet e normave të interesit në SHBA dhe eurozonë. Rezerva Federale e SHBA i ka rritur në mënyrë agresive normat e interesit për ta ulur inflacionin, ndërsa Banka Qendrore Evropiane (BQE) deri më tani i ka rezistuar rritjeve të pjerrëta.

“Norma e interesit në SHBA pritet të shkojë deri në 3% kundrejt 1% në Evropë. Pra, paratë do të shkojnë tek ai vend që ka një rendiment më të lartë,” tha për Dë Carsten Brzeski, kryeekonomist për Gjermaninë dhe Austrinë në ING. 

Dollari amerikan po përfiton gjithashtu nga tërheqja e tij e strehës së sigurt. Mes gjithë paqartësisë dhe pasigurisë rreth ekonomisë globale, investitorët po ngushëllohen me sigurinë relative që ofron dollari duke qenë më pak i ekspozuar ndaj disa prej rreziqeve të mëdha globale tani.

Çfarë është barazia e dollarit dhe pse kjo ka shumë rëndësi për euron?

Barazia në esencë do të thotë që 1 dollar mund ta blesh me 1 euro. Nuk është gjë tjetër veçse një prag psikologjik për pjesëmarrësit e tregut, të cilët janë të njohur për dashurinë e tyre për figurat e rrumbullakëta.

“Tregjet financiare gjithmonë duan të gjejnë një lloj kuptimi simbolik”, tha Brzeski.

Si ndikon një euro më e dobët te konsumatorët?

Një euro në rënie do t’i shtojë barrën familjeve dhe bizneseve evropiane që tashmë janë duke u lëkundur nga inflacioni rekord. Një monedhë më e dobët do t’i bënte më të shtrenjta importet, të cilat kryesisht janë të shprehura në dollarë. Kur këta artikuj janë lëndë të para ose mallra të ndërmjetme, kostot e tyre më të larta mund t’i rrisin më tej çmimet lokale.

Në kohë normale, një monedhë e dobët shihet si një lajm i mirë për eksportuesit dhe ekonomitë e rënda nga eksportet si Gjermania, sepse rrit eksportet duke i bërë ato më të lira në terma dollarë. Por atëherë këto nuk janë kohë normale falë fërkimeve globale të zinxhirit të furnizimit, sanksioneve dhe luftës në Ukrainë.

“Në situatën aktuale me tensione gjeopolitike, mendoj se përfitimet nga një monedhë e dobët janë më të vogla se sa disavantazhet”, tha Brzeski.

Megjithatë, për udhëtarët amerikanë që shkojnë në Evropë këtë verë, një euro e dobët është një bekim. Për shembull, në nivelin e barazisë, teorikisht, ata do të jenë në gjendje të shkëmbejnë 1,000 dollarët e tyre për 1,000 euro në vend të më pak se 900 euro në shkurt. Me fjalë të tjera, dollari i tyre do të vlente shumë më tepër. Për bizneset që importojnë mallra evropiane, gjërat do të ishin më të lira në terma dollarë.

Sa poshtë mund të bie euro?

Bastet se euro do të vazhdojë me rënien e saj janë rritur ditët e fundit ndërsa kriza energjetike në Evropë përkeqësohet.

“Euro po tregtohet sikur një krizë në Evropë është në pragun e derës. Pra, mund të dëgjoni më shumë lajme të këqija tani për sa i përket gjithë narrativës rreth furnizimeve me gaz dhe potencialisht gjeopolitikës që euro të dobësohet përtej barazisë”, tha Patel.

Strategët e Nomura International parashikojnë se euro mund të bjerë deri në 0,95 dollarë. Kreu i kërkimit të këmbimit valutor të Deutsche Bank, George Saravelos, ka një parashikim të ngjashëm. Një “lëvizje poshtë në 0.95-0.97dollarë do të përputhej me ekstremet e të gjitha kohërave të parë në kurset e këmbimit që nga fundi i Bretton ëoods në vitin 1971”, shkroi ai në një shënim të 6 korrikut drejtuar klientëve.

Çfarë do të thotë një euro më e dobët për BQE-në?

Një euro e dobët dhe inflacioni shtesë që ajo sjell shton sfidat e BQE-së, e cila tashmë është nën vëzhgim për ngadalësimin e blloqeve në luftën kundër inflacionit.

Për t’i përkeqësuar punët edhe më shumë për bankën qendrore që ka mandatin për ta zbutur inflacionin, euro nuk është dobësuar vetëm ndaj dollarit, por edhe ndaj monedhave të tjera si franga zvicerane dhe jeni japonez.

“Kjo tani ka filluar të bëhet një dobësi më e gjerë e euros dhe për këtë arsye bëhet më shumë një problem inflacioni për BQE-në”, tha Patel.

BQE synon t’i rrisë normat bazë të interesit me 25 pikë bazë javën e ardhshme, rritja e saj e parë në mbi 10 vjet.

“Një euro më e dobët e mbështet pikëpamjen e një rritjeje më agresive të normës”, tha Brzeski. “Argumenti pas kësaj do të ishte se nëse ne shkojmë për një rritje prej 50 pikësh bazë javën e ardhshme dhe jo 25, kjo mund ta ndalojë menjëherë rënien e euros sepse do t’i befasonte tregjet financiare”.

Megjithatë, disa ekspertë thonë se një rënie ekonomike do ta vendosë bankën në një pengesë, duke e penguar atë nga çdo shtrëngim agresiv i politikës monetare. Kjo nga ana tjetër do të siguronte që normat e interesit në eurozonë të mbeten të ndrydhura përballë SHBA-së. Një pritshmëri e tillë tashmë po luan një rol në rënien e euros./DW

Përgatiti: Nuhi Shala