Nga mbledhja e kryesisë së LDK-së. Foto: Kallxo.com

LDK thotë se është kundër takimeve të fshehta me Serbinë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka reaguar pas “takimit të fshehtë” mes përfaqësuesve të Kosovës dhe atyre të Serbisë në Berlin.

Sipas tyre ky takim është është i papranueshëm dhe tejet i rrezikshëm.

“Dialogu nuk ka arsye të fshihet, pa marrë parasysh nivelin e tij dhe çështjeve që diskutohen në dialog. Gabojnë edhe shtetet e BE-së në qoftë se kultivojnë një praktikë të tillë sepse e bënë procesin e dialogut të pabesueshëm për ne dhe për qytetarët e Kosovës”, thuhet në një komunikatë për media.

LDK thotë se veprime të tilla vënë në dyshim transparencën që mund të pret Kosova nga dialogu, “kur jo vetëm që qytetarët e saj nuk janë informuar paraprakisht për përmbajtjen e takimit të djeshëm, por edhe vet takimi është mbajtur fshehurazi”.

“Për takime të fshehta, është përmendur më parë Presidenti i vendit, ndërsa tani po dëshmohet se në të njëjtën rrugë është edhe Qeveria. Mos të habitemi, në qoftë se pas disa dite do të dëgjojmë edhe për një takim të fshehtë në Beograd ndërmjet përfaqësuesve të dy qeverive, që është shkelje absolute e principeve të dialogut”, thotë LDK.

Tutje LDK është shprehur përsëri kundër udhëheqjes së dialogut nga presidenti, Hashim Thaçi dhe Qeveria.

“Është e bindur se dialogun nuk mundet dhe nuk duhet ta udhëheqë ky koalicion qeverisës dhe as Presidenti i vendit. Që të kemi dialog përmbajtjesor dhe të përgjegjshëm duhet të mbahen zgjedhet, të dal një qeveri me besim të qytetarëve dhe të arrihet pajtueshmëri e gjerë. Dialogu Kosovë-Serbi duhet të zhvillohet me mbështetje të domosdoshme të SHBA-ve dhe me ndërmjetësim të Komisionit të ardhshëm të BE-së”, thuhet në reagimin e tyre.