Foto: LDK

LDK paralajmëron rezolutë për parandalimin e largimit të rinisë nga Kosova

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa sot është takuar me strukturat e Forumit Rinor të LDK-së, të udhëhequra nga Fidan Rekaliu, i cili njëherësh është edhe deputet në Kuvendin e Kosovës.

Në njoftim thuhet se Mustafa ka ritheksuar rëndësinë jetike, që ka rinia kosovare për ardhmërinë e vendit dhe rinia e LDK-së për të ardhmen e partisë.

“Lidhja Demokratike, gjithnjë e më shumë, i jep rëndësi dhe hapësirë rinisë kosovare dhe FRLDK në vizionin, planprogramin, programet, projektet dhe aktivitet e saj.”, është thënë në komunikatë.

Mustafa gjithashtu u zotua se do t’i ofrojë rinisë së LDK-së përkrahje dhe përfshirje maksimale.

Kryetari i FRLDK, Fidan Rekaliu ka folur për draft-rezolutën e cila pritet të propozohet për votim në Kuvend, për parandalimin e largimit të rinisë nga Kosova, si dhe për të avancuar pozitën dhe interesat e rinisë në shoqërinë kosovare.

“Rezoluta do të shtjellojë kërkesat dhe nevojat e rinisë për punë praktike, subvencionim në arsim, shëndetësi dhe, mbi të gjitha, rikthimin e shpresës për një të ardhme të ndritur në Kosovë, pa pasur nevojë të kërkojnë gjetiu një jetë më të dinjitetshme.”, thuhet në njoftimin e LDK-së.

Foto: LDK