Nga mbledhja e kryesisë së LDK-së. Foto: Kallxo.com

LDK me trup në zgjedhje të brendshme, me mendje në zgjedhje parlamentare

Sado që partia e tij ka shpallur zgjedhjet e brendshme, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, gjatë konferencës për media pas mbledhjes me kryetarët e degëve të LDK-së, ka deklaruar se janë duke u përgatitur edhe për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë.

“Ne nëntor kemi aprovu platformën e zgjedhjeve, që nuk ka të bëjë vetëm me zgjedhje të brendshme por edhe me zgjedhje të përgjithshme. Në kryesinë e LDK-së e kemi aprovu agjendën e zgjedhjeve, fazën e parë do ta fillojmë me 22 degë, ndërsa me fazën e dytë me 16 degë tjera dhe të vazhdojmë me degët në diasporë. Objektiva jonë është të forcohet LDK-ja. Bashkërisht kemi vlerësu se kemi diskurs, unitet i cili është i qëndrueshëm brenda partisë dhe zgjedhjet janë të rëndësishme edhe për Kosovën”, ka deklaruar Mustafa.

Në këtë konferencë Mustafa ka folur edhe për dialogun me Serbinë, ku ka thënë se dialogu për momentin është në “qorrsokak”.

“Unë nuk shoh ndonjë mundësi që dialogu të shkojë siç deklarohet, dialogu është në qorrsokak, ne e kemi dhënë zgjidhjen tonë, të shkojmë në zgjedhje (parlamentare), të kemi institucione legjitime. Ajo që jemi të vendosur është që nuk pajtohemi me korrigjim, me ndryshim të kufijve dhe po ashtu nuk pajtohemi të kemi ndonjë asociacion në Kosovë”, ka thënë ai.

Mustafa ka komentuar edhe deklaratat e mëparshme të Lutfi Hazirit për korrigjimin e kufijve, ku ka thënë se Haziri e ka pasur në kuptimin që shqiptarëve të Preshevës të kenë të drejta të barabarta, njëjtë si serbët në Kosovë.