Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit | Foto: KALLXO.com

Kuvendi Mblidhet më 22 Shtator

Njoftimin për caktimin e seancës e dha kryeparlamentari Kadri Veseli.

“Kemi filluar sesionin vjeshtor, nesër një javë do ta kemi seancën plenare. Kjo ka qenë ajo çka kemi diskutuar me disa vendime administrative në kryesi,” tha Veseli.

Caktimin e seancës për 22 shtator e bëri të ditur edhe deputeti i AAK-së Pal Lekaj që mori pjesë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit.

“Seanca e radhës parlamentare do të mbahet të enjten e ardhshme në orën 10:00,” tha Lekaj.

Lekaj tha se kuvendi dhe komisionet nuk po funksionojnë si duhet.

“Unë po e shoh një zbrazëtirë të kuvendarëve e sidomos të atyre nëpër komisione. Po e shihni që ka një krizë të thellë politike, janë dy marrëveshjet që kanë lënë në hije të gjitha ato që janë me rëndësi për qytetarët,” tha Lekaj që doli më herët nga mbledhja e kryesisë.

Pas “Vetëvendosjes” edhe AAK-ja dhe Nisma i janë kthyer punës në Kuvend dhe komisione parlamentare.

Në fillim të mbledhjes kryetari i Kuvendit Kadri Veseli u uroi mirëseardhjen përfaqësuesve të këtyre dy partive opozitare që përfunduan bojkotin e nisur në mars.

Në mbledhjen e 22 qershorit pritet të shqyrtohet Raporti Vjetor i Autoritetit të Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për Vitin 2015, të zgjidhet një anëtar i Komisionit të Pavarur për Medie, të formohet një komision ad-hoc për përzgjedhjen e dy anëtarëve të Bordit të radio-Televizionit të Kosovës, ndërsa AAK-ja do të propozojë zëvendësime të anëtarëve të saj në komisionet parlamentare.