Kuvendi i Kosovës, FOTO: KALLXO.com

Kuvendi fillon debatin parlamentar për ‘zbrazjen e Kosovës nga të rinjtë’

Kuvendi i Kosovës ka nisur debatin lidhur me “zbrazjen e Kosovës nga të rinjtë, si rreziku më i madh që i kanoset vendit që nga paslufta”, edhe pse fillimisht ishte thirrur  vazhdimi i seancës plenare.

Debati nisi pas mbledhjes së Kryesisë, e cila sot u mblodh për çështjen e largimit të të rinjve nga Kosova.

Kërkesa për debat parlamentar ishte  bërë nga 41 deputetët nënshkrues.

Deputeti i LDK-së, Fidan Rekaliu si iniciues i kërkesës për seancë të jashtëzakonshme, kërkoi nga grupet parlamentare që bashkërisht të propozojnë një rezolutë për këtë çështje.

“Kërkoj nga të gjitha grupet parlamentare ta propozojmë bashkërisht një rezolutë unifikuese për mbrojtjen dhe avancimin e të rinjve të Kosovës. Arsyeja kryesore e ikjes së të rinjve nga Kosova është pa perspektiva për një jetë normale. Pavarësisht statistikave, nga Kosova po largohen qytetarë të moshave dhe profesioneve të ndryshme. Zbrazja e Kosovës është e keqja më e madhe që mund t’i ndodhë vendit”, tha deputeti.

Ndërkaq, Naser Rugova deputet i LDK-së ka kritikuar kabinetin qeveritar që nuk ishte prezent në debat.

Ai tha se përpos Ministrit të Mjedisit nuk është prezent as kryeministri e as ministrat e tjerë.

“Në Kosovë është vra shpresa me vendime paradoksale, me punësime, me degradim të sistemit arsimor”, tha ai.