Ndertesa e qeverisë, Prishtinë | Foto: Atdhe Mulla

Kuçi Propozon Lehtësira për Dorëzim Armësh

Në mbledhjen e qeverisë gjatë shqyrtimit të Projektligjit për Legalizimin e Armëve dhe Dorëzimin e Armëve të Vogla dhe të Lehta, Municionit dhe Mjeteve Eksplozive, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi propozoi që të gjenden mënyra për të inkurajuar dorëzimin e armëve ilegale nga qytetarët.

“Autorizim i Ministrisë së Punëve të Brendshme në koordinim me policinë që kohë pas kohe (për shembull dy javë ose një muaj) t’u japim mundësi njerëzve që t’i dorëzojnë armët dhe të mos kenë pasoja ligjore,” tha Kuçi.

Projektligjin për legalizim armësh e paraqiti për shqyrtim zëvendësministri i Punëve të Brendshme Valdet Hoxha.

“Duke e ditur që ka një numër të madh të armëve në posedim, është vlerësuar që kjo çështje të rregullohet me ligj. Të përcaktohen personat fizikë dhe juridikë për legalizim dhe dorëzim të armëve,” tha zëvendësministri Hoxha.

Qeveria në mbledhje, si edhe herëve tjera e shpalli ditë pushimi të hënën për nder të Ditës së Flamurit që Kryeministri Mustafa e cilësoi ditë të shënuar për shqiptarët.

Para kabinetit qeveritar, Edita Tahiri ministrja për Dialog raportoi për bisedimet në Bruksel duke thënë se “Është e sigurt që Kosova do të bëhet me kodin telefonik dhe kjo do të ndodhë më 15 dhjetor.

KALLXO.com raportoi për arritjen e marrëveshjes për kodin telefonik më 13 nëntor.

http://kallxo.com/arrihet-marreveshja-per-kodin-shteteror-telefonik/

Në mbledhjen e sotme qeveria mori vendim që Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës të bartet nga Zyra e Kryeministrit në Ministrinë e Kulturës.

Duke u lidhur me këtë transferim, Kryeministri Mustafa paralajmëroi edhe bartjen e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës nga Zyra e Kryeministrit në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.