Presidenti kuban Raul Castro - Foto: Rtv21

Kuba zgjedh presidentin që nuk i përket familjes Castro

Asambleja Kombëtare e Kubës mblidhet sot në një seancë plenare ku do të zgjedhë, pas gjashtë dekadash, presidentin e parë të këtij ishulli të Karaibeve që nuk i përket familjes Castro.

Raul Castro, 86 vjeç, pritet të zëvendësohet nga zëvendëspresidenti i tij, Miguel Diaz Canel, 57 vjeç.

Të 605 anëtarët e Parlamentit, që u zgjodh më 11 mars, do të zgjedhin presidentin e ri dhe anëtarët e Këshillit të Shtetit, organi që qeveris vendin.

Votimi sekret do të zhvillohet sot.

Komisioni Kombëtar Elektoral do të numërojë votat të njëjtën ditë dhe rezultatet do të bëhen publike nesër.

Zgjedhja e Diaz Canel do të përfaqësonte një ndryshim në breza, ku liderët e rinj do të zëvendësojnë ish-guerilët e drejtuar nga vëllai i madh i Raul Castros, Fideli, i cili rrëzoi diktatorin Fulgencio Batista gjatë revolucionit të vitit 1959. /21Media