Foto: REL

Lavrov në Havana për rritje të bashkëpunimit Rusi-Kubë

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, është takuar të enjten me presidentin e Kubës, Miguel Diaz-Canel dhe ministrin e Jashtëm kubanez, Bruno Rodriguez në Havana, teksa tenton të forcojë lidhjet e Rusisë me aleatët në Amerikën Latine.

Rusia, e goditur nga sanksionet e Perëndimit, për shkak të luftës së nisur në Ukrainë, po synon të forcojë lidhjet politike dhe ato ekonomike me shtetet që e kundërshtojnë, atë që e cilësojnë “hegjemoni amerikane”.

Lavrov u ka thënë gazetarëve se Rusia dhe Kuba përballen me sanksione të SHBA-së, andaj edhe e kuptojnë njëra-tjetrën.

“Ne nuk mund të pajtohemi që bota të vazhdojë jetesën pafundësisht sipas rregullave amerikane”, ka thënë Lavrov në një konferencë televizive.

“Tensionet janë duke u përshkallëzuar në arenën ndërkombëtare, dhe tentimet e Perëndimit për ta diktuar gatishmërinë e tij, dhe për ta injoruar pozitën e tjetrit, sa shkojnë e rriten”.

Ministri i Jashtëm rus e ka vizituar ditëve të fundit edhe Brazilin, Venezuelën dhe Nikaraguan.

Kuba, e cila ka qenë nën embargo ekonomike amerikane, prej Revolucionit të Fidel Castros më 1959, e ka mbështetur vazhdimisht Rusinë në Ukrainë, por edhe një zgjidhje diplomatike për krizën.

“Nuk besoj se Putini e ka provokuar konfliktin në Ukrainë”, ka thënë Diaz-Canel, duke iu referuar presidentit rus, Vladimir Putin.

Ai e ka përshkruar lidhjen e Kubës me Rusinë si “të mrekullueshme”.

Në shkurt të këtij viti, Rusia i ka dërguar Kubës 25 mijë tonë miell, si donacion emergjent për të luftuar mungesat.

Lavrov ka thënë se autoritetet ruse janë duke punuar për nisje të një dërgese tjetër të ngjashme.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL/