Stacioni i Autobusëve - Foto: KALLXO.com

Kryeshefi Punëson Veten në Stacionin e Autobusëve

Në një proces të dyshimtë konkurrimi, kryeshefi ekzekutiv i Stacionit të Autobusëve, Ylber Çitaku, ka marrë pozitën e drejtorit teknik në këtë ndërmarrje.

Punësimi i tij si drejtor teknik është bërë në kohën kur i njëjti ishte kryeshef ekzekutiv dhe menaxhonte tërë ndërmarrjen.

Kallxo.com mëson se në korrik të vitit të kaluar ndërmarrja publike, e cila drejtohej nga Ylber Çitaku, kishte shpallur konkurs për drejtor teknik të Stacionit.

Konkursi për drejtor teknik është hapur në muajin korrik. Çuditërisht në këtë konkurs kishte aplikuar vet kryeshefi ekzekutiv Ylber Çitaku.

Tërë procesi i konkurrimit dhe intervistimit ishte kryer gjatë mandatit kur Çitaku ishte kryeshef.

Ky i fundit ka dhënë dorëheqje para pak ditësh nga posti i kryeshefit ku ishte zgjedhur me vendim të bordit të aksionarëve për të vazhduar me pozitën e re, në nivel më të ulët në ndërmarrje.

Çitaku kishte mandat deri në vitin 2019, por është dorëhequr në kohën kur kontrollin e ndërmarrjeve publike komunale në Prishtinë e ka marrë Lëvizja Vetëvendosje.

Konflikti i mundshëm i interesit

Sipas Ligjit, autoriteti për përcaktimin e komisionit vlerësues të kandidatëve dhe nënshkrimin e kontratave për ndërmarrjet publike është kryeshefi ekzekutiv.

Në bisedë për KALLXO.com, Çitaku pretendon se e ka shmangur konfliktin e interesit pasi gjatë tërë kohës kur kishte aplikuar për pozitë e drejtorit teknik ishte në pushim.

Çitaku ka thënë se të gjitha veprimet janë bërë nga vartësi i tij, zëvendëskryeshefi, Korab Visoka, gjatë kohës sa ai ishte në pushim.

“Kur është caktuar komisioni (intervistues) unë kam qenë në pushim dhe komisionin e ka caktuar zv.kryeshefi”, ka thënë Çitaku.

E për ‘shmangien e interesit’ duke shkuar në pushim gjatë kohës kur merreshin vendime për pozitën e drejtorit teknik, Çitaku thotë se u konsultua nga Zyra Ligjore.

“E kam konsultuar edhe zyrën ligjore dhe jemi në rregull me ligjin”, ka thënë Çitaku. “Unë kam marr mendim të Zyrës Ligjore të ndërmarrjes edhe të një zyre ligjore tjetër edhe në Inspektorat të Punës. Jam interesu dhe më është thënë se është e drejtë legjitime e secilit qytetar të Republikës së Kosovës me apliku”.

Ai ka pranuar se është vlerësuar dhe intervistuar nga punonjësit e stacionit, të cilët janë vartës të tij, por për të, kjo nuk përbën konflikt të interesit pasi ishte në pushim.

“Zëvendësi ka qenë në pozitë dhe ai ka menaxhuar”, ka thënë Çitaku.

Sipas Ligjit, kontratat në raste të tilla nënshkruhen nga drejtorët ekzekutivë, por për t’ju shmangur këtij obligimi kontratën e Çitakut e kishte nënshkruar zëvendësi i tij Visoka.

“Unë kam apliku në pozitën e drejtorit teknik. Komisioni më ka përzgjedh. Unë i kam ofru Bordit dorëheqjen me më liru nga detyra e kryeshefit ekzekutiv për me marr postin e drejtorit teknik”, tha ai.

Çitaku ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit të stacionit të autobusëve para pak ditësh dorëheqja e tij vije disa javë pasi Lëvizja Vetëvendosje morri kontrollin mbi Ndërmarrjet Publike Komunale. Gjatë mandatit të kaluar, kontrollin mbi ndërmarrjet publike e kishin dy partitë tjera, LDK dhe PDK, të cilat kishin shumicën në Asamblenë e Komunës së Prishtinës.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Çitaku ka sqaruar dorëheqjen, ndërsa nuk e ka parë si konflikt interesi faktin se ka nënshkruar kontratë pune me ndërmarrjen që vet e ka menaxhuar.

“Mungesa e mbështetjes institucionale deri në sabotim më ka bërë që të vij deri te përfundimi i kontratës me Ndërmarrjen Publike Lokale Stacioni i Autobusëve duke dhënë dorëheqje të parevokueshme”, tha Çitaku.

Aktualisht, ushtruese detyre e kryeshefit ekzekutiv të Stacionit të Autobusëve është Shqipe Durmishi.

“Gazeta Jeta në Kosovë“ ka kontaktuar edhe me zyrën e Durmishit, por nuk ka qenë e gatshme që sot të jap përgjigje.