Kroacia Feston Fitoren e Operacionit ‘Stuhia’

 

Mijëra kroatë të premten festuan 21 vjetorin e fitores së vendit mbi rebelët serbë në Operacionin “Stuhia” me një shfaqje përkujtimore në Knin, ku u fitua beteja e parë në gusht 1995.

Përkujtimorja filloi në orën 08:00 me një kor ushtarak që këndoi këngë patriotike, pasuar nga ngritja e flamurit kroat në kështjellën e Kninit.

Pas një ceremonie me breshëri armësh, parakalime me avionë ushtarakë dhe një paradë të vogël nga kalaja në qendër të qytetit, në memorialin kryesor u vendosën kurora me lule dhe u ndezën qirinj.

Presidentja Kolinda Grabar Kitaroviç tha në një fjalim në memorial se Operacioni “Stuhia” ishte tepër i rëndësishëm për një Kroaci të pavarur, sepse ai çoi në fitoren e asaj që kroatët e quajnë Lufta Atdhetare.

Grabar Kitaroviç tha se lufta ishte një betejë e drejtë kundër “një sipërmarrje të përbashkët kriminale” nga serbë çetnikë të mbështetur nga Beogradi dhe të një Jugosllavie jo federale.

Ajo këmbënguli gjithashtu se “shteti kroat nuk urdhëroi, ndërmori apo miratoi ndonjë akt hakmarrjeje”.

“‘Stuhia’ ishte një operacion i justifikuar politikisht, etnikisht i pastër dhe i shkëlqyer ushtarak që përfundoi me çlirimin e territorit kombëtar kroat. Ishte një fitore e ndershme për një kauzë të drejtë,” shtoi ajo.

knin2

Gjatë operacionit, forcat kroate shtypën rebelët serbë që kishin mbajtur rreth 18 për qind të territorit të Kroacisë nga viti 1991. Rreth 200,000 serbë u larguan nga Kroacia gjatë dhe pas operacionit dhe disa qindra civilë serbë u vranë.

Andrej Plenkoviç, presidenti i ri i Unionit Demokratik Kroat, HDZ, tha se operacioni “i dha fund përgjithmonë agresionit të projektit të presidentit serb Sllobodan Millosheviç për një “Serbi të Madhe”.

“Ne gjithmonë duhet të nderojmë ata që çliruan Kroacinë dhe rrënjosin në brezat më të rinj vlerat mbi të cilat është krijuar Republika e Kroacisë,” shtoi ai.

Mate Graniç, i cili ishte Ministër i Jashtëm i Kroacisë në vitet 1990, hodhi poshtë akuzat se krimet e kryera gjatë dhe pas operacionit ishin të planifikuara nga shteti.

“Ka pasur krime individuale, djegie dhe plaçkitje, megjithatë, nuk ishte policia e shtetit. Presidenti Franjo Tuxhman ishte shumë kundër incidenteve të tilla. Të gjithë ata që kryen krime janë ndjekur penalisht,” tha Graniç.

Deri më tani vetëm një person është dënuar për kryerjen e një krimi lufte gjatë dhe pas Operacionit “Stuhia”. Bozo Baceliç u dënua me shtatë vjet burg nga Gjykata e Lartë në maj të vitit 2014 për vrasjen e dy civilëve dhe një të burgosur lufte.

Zyra e prokurorit të shtetit në Kroaci thotë se edhe 14 persona janë dënuar për vrasje, por jo për kryerjen e një krimi lufte.

Në ceremoninë në Knin mori pjesë edhe Marko Skejo, komandanti shumë i diskutuar i njësisë paraushtarake të viteve 1990, Batalionit të 9-të të Forcave Kroate të Mbrojtjes, të quajtur sipas komandantit fashist ustash të Luftës së Dytë Botërore Rafael Boban.

“Ne e shtypëm gjarprin çetnik në territorin tonë dhe ngritëm flamurin tonë,” tha Skejo.

Më vonë, njësia “Rafael Boban” marshoi nëpër Knin duke kënduar këngë ustashe dhe duke brohoritur slogane nacionaliste.

Për t’i dhënë fund përkujtimores së të premtes, do të organizohet edhe një koncert nën logon “Fitore për Heronjtë” në stadiumin e futbollit në Knin.

Fitimet nga shitjet e biletave dhe mbledhje fondesh nëpërmjet telefonatave do të përdoren për restaurimin e kullës së ujit në Vukovar, që është një simbol i rënies së qytetit lindor kroat gjatë kohës së luftës në nëntor të vitit 1991.

Këngëtari nacionalist Marko Perkoviç, i njohur ndryshe si Thompson, do të performojë në koncert.

Thompson është tepër i diskutueshëm për këngë në të cilat ai përdor një slogan fashist kroat të Luftës së Dytë Botërore “Za dom spremni” ( “Gati për Atdhe”), si edhe këngë të tjera që mbështesin njësitë fashiste ustashe kroate.

Koncerti i vitit të kaluar i Thompsonit në Knin tërhoqi rreth 80,000 persona, por u shoqërua nga thirrje anti-serbe.

Të enjte, liderë politikë nga Serbia dhe Republika Srpska përkujtuan viktimat e Operacionit “Stuhia” në fshatin Busije, i cili është i populluar kryesisht nga refugjatë që u arratisën nga Kroacia për shkak të Operacionit Stuhia 21 vjet më parë.

Në fjalimin e tij në përkujtimore, kryeministri në detyrë Aleksandër Vuçiç kritikoi Kroacinë për festimin e saj të përvitshëm të fitores.

“Njerëzit u vranë vetëm se ata ishin serbë. Ata festojnë fitoren, por çfarë është fitorja e tyre? Ata po gëzojnë me hidhërimin tonë,” tha Vuçiç.