Kosova bëhet me fabrikë për përpunimin e mbetjeve organike të kafshëve

Fabrika e vetme në vend dhe në rajon për përpunimin dhe asgjësimin e mishit të kafshëve të ngordhura dhe mbetjeve ushqimore është ndërtuar në pjesën qendrore të Kosovës, përballë parkut industrial në Drenas.

Ky projekt është fituar nga Komisioni Europian dhe ka kosto financiare prej 7.7 milionë euro. 5.7 milionë do të jepen nga Komisioni Europian përmes fondeve IPA, kurse 2 milionë tjera nga Qeveria e Kosovës.

Por kjo shumë pritet të rritet me finalizimin e projektit, në janar të vitit të ardhshëm.

Kjo fabrikë do të krijojë deri në 50 vende pune, ndërsa punëtorët do të trajnohen për një muaj për punën me makinerinë e nevojshme.

Kryeshefi ekzekutiv i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës në Kosovë, Valdet Gjinovci, tregoi se përfitimet e kësaj fabrike, përveç përfitimeve nga riciklimi i mbetjeve organike nga kafshët do të bëjë edhe mbrojtjen e ambientit.

“Përfitimet të cilat janë edhe në mbrojtjen e ambientit, gjithmonë edhe problemet që ne i kemi me asgjësimin e kafshëve të cilat ngordhin nga sëmundjet e ndryshme dhe asgjësimin e mbetjeve ushqimore, ku me aktivizimin e kësaj fabrike, të gjitha këto ushqime dhe kafshëve, të cilat ngordhin, do të përpunohen në formë profesionale ashtu siç kërkohen në vendet e zhvilluara dhe vendet e Bashkimit Evropian”, tha Gjinovci.

Gjinovci tha se kjo fabrikë do të ndikojë shumë në mbrojtjen e shëndetit publik, sigurisë së produkteve.

Sipas Gjinovcit, Agjencioni i Ushqimit dhe Veterinës ka pasur shumë nevojë për një fabrikë të tillë.

Arton Osmani, menaxher i programit të bujqësisë në Zyrën e Bashkimit Europian në Kosovë shpjegoi procesin e përpunimit të mbetjeve organike të kafshëve dhe si çka mund të shfrytëzohen ato në produkte finale.

“Lënda e cila përpunohet, ndahet yndyra prej eshtrave dhe pjesëve të tjera, të cilat nuk janë të përdorshme, yndyra do të përdoret kryesisht në industrinë e energjetikës, si burim energjie dhe ky është produkti final, i cili do të dalë, ne planifikojmë që në të ardhmen kjo të zhvillohet edhe në dy kategori të tjera, ku nën produkteve do të përdoren në industrinë kozmetike dhe industrinë e ushqimit të kafshëve”, tregoi Osmani.

Osmani tha po ashtu se kjo do të funksiononte në rrafshin Regjional vetëm me marrëveshje ndërshtetërore.

Sipas tij kjo fabrikë do të mbledhë mbetjet organike të kafshëve dhe do t’i përpunojë ato në gjashtë qytete të Kosovës.

Zëdhënësi në Zyrën e Bashkimit Europian në Kosovë, Dimitrios Machairidis, tregoi për fushatën e Komisionit Evropian dhe për rëndësinë e mjedisit të pastër në shëndetin e njeriut.

“Ne e vizituam sot fabrikën e përpunimit, e cila është projekti i dytë i Komisionit Evropian në Kosovë, siç e dini fushatat për mbrojtjen e mjedisit ka filluar në fund të shtatorit dhe pritet të përfundojë në gjysmën e dhjetorit, gjatë kësaj fushate ne kemi dashur të shpjegojmë se çka është e rëndësishme për mjedisin për të gjithë në Kosovë dhe Regjion dhe sigurisht në të gjithë botën”, tha Machairidis.

Ai shtoi se sektori i mjedisit krijon vende pune dhe është një biznes i madh, gjithashtu tregoi se si produktet, të cilat deri më tash janë hedhur mund të krijohen në produkte të përdorshme me funksionimin e kësaj fabrike.