Shpalosja e së Vërtetës, Drenas, 12.05.2026
'Shpalosja e së Vërtetës' - Lansohet në Drenas dokumentari për personat e zhdukur
Në Shtëpinë e Kulturës në Drenas, sot më 12.05.2026, është shfaqur dokumentari nga BIRN Kosova, i cili trajton historitë e personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë dhe dhimbjen e familjeve që edhe pas më shumë se dy dekadash vazhdojnë të presin lajme për më të dashurit e tyre.
Shfaqja është organizuar në kuadër të projektit “Shpalosja e së Vërtetës: Luftimi i Gazetarisë Monoetnike dhe Avokimi për Personat e Zhdukur në Kosovë”.
Pas dokumentarit, është mbajtur debat publik ku u diskutuan sfidat institucionale në procesin e gjetjes së personave të zhdukur, mungesa e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe roli i familjarëve dhe shoqërisë civile në kërkimin e së vërtetës.
Pjesë e panelit ishin, Ilir Morina nga Prokuroria Speciale, Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, Ahmet Grajqevci si përfaqësues i Shoqatës së Familjarëve të Personave të Zhdukur, Arsim Gërxhaliu nga Instituti i Mjekësisë Ligjore (IML), si dhe Kreshnik Gashi nga KALLXO.com.
Ilir Morina, përgjegjës në Departamentin për krimet e luftës në Prokurorinë Speciale, deklaroi se çdo informacion është i rëndësishëm, duke theksuar se gjatë vitit 2025 janë realizuar 32 lokacione të gërmuara, ku janë gjetur 24 persona, 20 trupa dhe katër pjesë trupore.

Morina shtoi se 22 lokacione të tjera kanë qenë në proces të vlerësimit.
Ndërsa Kushtrim Gara, nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, tha se çështja e personave të zhdukur vazhdon të jetë prioritare.
Kjo shfaqje në Drenas është pjesë e një serie prej tetë dokumentarësh që BIRN Kosova do t’i promovojë në tetë rajone të Kosovës, me qëllim dokumentimin e historive të personave të zhdukur dhe krijimin e një hapësire për diskutim publik e institucional mbi këtë plagë të hapur të shoqërisë kosovare.
Mijëra familjarë vazhdojnë të përballen me pasojat e krimeve, duke bartur traumën në përditshmërinë e tyre dhe shpesh edhe në brezat që kanë lindur pas luftës.
Në nivel të Kosovës, sipas të dhënave, 1560 persona vazhdojnë të jenë të pagjetur.
Ndërsa 145 persona nga Drenasi, Skenderaj dhe Vushtrria vazhdojnë të jenë të zhdukur.