Dokumentar: Rrëfimet për të zhdukurit në rajonin e Vushtrrisë, Skenderajt dhe Drenasit
31 maji i vitit 1998 do të shënonte nisjen e zbatimit të një strategjie luftarake, e cila për vite me radhë do të vazhdonte t’i mbajë në ankth mijëra familjarë të personave të zhdukur. Në Poklek të Ri, një fshat afër Drenasit, do të regjistrohen 9 personat e parë të cilët u zhdukën pa gjurmë.
Nga kjo datë, për më pak se 15 muaj, numri i të zhdukurve do të tejkalonte shifrën prej 6 mijë e 500 personave. Në vitet e para, disa prej tyre u zbuluan të gjallë në burgje, të tjerë të vrarë e të varrosur në varreza masive, ndërsa fatkeqësisht rreth 30% vazhdojnë të jenë të zhdukur.
26 vite pas përfundimit të luftës, 1,560 persona të të gjitha etnive vazhdojnë të jenë të zhdukur nga lufta e Kosovës.
Ky numër, për shumë beteja botërore, është i papërfillshëm, por në kontekstin e Kosovës kjo statistikë përfaqëson një traumë të gjatë shoqërore për mijëra familje.
Për ta shkaktuar këtë traumë kishte një plan të strukturuar, i cili synonte të mbulonte krimin dhe të krijonte traumë shoqërore.
Statistikat na dëshmojnë se rreth 10% e viktimave shqiptare u zbuluan të varrosura në varrezat masive në Serbi, ndërsa në regjistrat e luftës ende mbi 12% e viktimave në total vazhdojnë të jenë të zhdukura.
Në mes të viteve 1998–1999, Drenasi, Skenderaj dhe Vushtrria llogariteshin si komuna jo të mëdha dhe me fshatra të pazhvilluara. Në këto tri qytete jetonin komunitete të përziera, të dominuara nga komuniteti shqiptar. Në fshatrat e zonës, por edhe në qytete, koha e vëllazërim-bashkimit dhe e ish-Jugosllavisë kishte krijuar fshatra dhe lokalitete të përziera etnikisht.
Nisja e luftës në vitin 1998 do t’i shpërbënte këto lidhje. Në më pak se 20 muaj, qindra njerëz do të vriteshin dhe mijëra të tjerë do të zhvendoseshin nga pronat ku kishin jetuar me shekuj. Dëshmitë për masakrat kolektive, zhdukjet kolektive e deri te zhdukjet individuale janë në çdo cep të këtyre komunave.
Përpos varreve dhe shkatërrimeve, lufta la prapa qindra të zhdukur. Qindra të vrarë nga kjo zonë do të zbuloheshin të varrosur në varreza masive në Serbi, ndërsa edhe pas 26 vitesh, 145 familje të të gjitha komuniteteve ende nuk dinë për fatin e familjarëve të tyre.
Shqipe Zogu, është vajza e Bali Zogut, i cili ishte zhdukur në 29.05.1999, në fshatin Komoran të Drenasit.
“Kanë pasur me ardhë në Komoran tek shtëpia tonë sepse aty ka pasur furnizim të mjaftueshëm me miell edhe babi u ka pri. Atë ditë babi ka qenë civil bashkë me 30 veta të tjerë civilë. Babin e plagosën në këmbë, ndërsa në pamundësi për t’u mbrojtur ose për t’u kundërpërgjigjur me zjarr forcave serbe, shokët e tij largohen dhe babi mbetet i plagosur aty” – rrëfen Shqipja për babain e saj të zhdukur.
“Babi më ka munguar në të gjitha sukseset e mia, por edhe më ka munguar atëherë kur unë kam pasur shumë nevojë. Thashë që ka qenë shumë i përkushtuar për mësim edhe menjëherë pas lufte kur kemi filluar pastaj shkollën fillore, klasa e dytë edhe e tretë, kanë qenë shumë të vështira për mua sepse nuk kishte frymë të mësimnxënies në shtëpi edhe më ka munguar edhe ai në ato momente”.
Në mes të viteve 1998–1999, në Kosovë ishin regjistruar mbi 6 mijë e 500 persona të zhdukur. Në përqindje, kjo ishte një shifër shumë e lartë në raport me viktimat e konfirmuara si të vrara.
Në muajt e parë të pasluftës, një pjesë e të zhdukurve u zbuluan të burgosur në burgje në Serbi. Pjesa tjetër nisi të shfaqej në kërkimet, të cilat po i zhvillonin mekanizmat ndërkombëtarë të mjekësisë ligjore. Në mbarë vendin, mbi 2 mijë lokacione u identifikuan si varreza masive dhe varre individuale, ku ishin varrosur të vrarët.
Gjurmimi do të vazhdonte edhe jashtë territorit, në kërkimet në Serbi. Por mijëra kërkime të zhvilluara deri më tani nuk kanë arritur të zbulojnë edhe 1560 personat të cilët figurojnë të zhdukur.
Naim Karaqica nga Drenasi jeton për ta ndarë tragjedinë e tij. I kidnapuar gjatë ofensivës së prillit, ai ishte person i zhdukur për rreth 2 muaj. Në familje, të gjithë e dinin për të vdekur, ndërsa po kërkonin vetëm trupin.
Në pak muaj, familja e tij do të përjetonte shumë tragjedi. Vëllai i Naimit po ashtu do të figuronte i zhdukur, bashkë me babain.
“Mua më ka rrokë plumbi, domethënë.. edhe më ka humb orientimin m’ka rrëzu, po mirë, qaq shpejt kanë mbërri ata sa që veç i kanë rrotullu, e kanë parë që është i vdekun dhe i kanë rënë nga një “okfir” domethënë në krye i ka rënë edhe Kadrisë, edhe Avdisë, edhe Xhevdetit, domethënë i ka prishur kufomat” – rrëfen Naimi për fillimin e tragjedisë së jetës së tij.
“Kur më kanë rrotullu mua, e kanë parë që jam gjallë, atëherë kur e kam kthyer kryt e njofta edhe personin aty, ai ka qenë rom. Edhe më ka thënë: ‘Çu!’ shqip, jo serbisht, por shqip më ka thënë. Kam thënë: ‘S’muj’. ‘Çu prapë!’ kam thënë: ‘S’po mundem’. Për me më ra plumb edhe jo më me ik se s’dija as çka po më gjen. Atëherë më ka rënë në krye, kondakt të automatit, ma ka shqy kryet dhe ju ka bërtit dy personave të tjerë: ‘Hajde kape!’ edhe më kanë kapë mua aty, më kanë ngrehë zhag”.
Në dy muaj, Naimi do të endet në postblloqet e paramilitarëve, do të maltretohej skajshmërisht dhe disa herë do të lihej si i vdekur.
Gjatë kësaj kohe ai dërgohet në Spitalin e Mitrovicës, ku merr ndihmën e parë, e më pas rikthehet në Skenderaj, ku hidhet në rrugë si i vdekur.
Trajtimi i tij do të vazhdojë në spitalin e Skenderajt, ku ai do të maltretohej vazhdimisht për dy muaj rresht.
“E më morën tani prej Veriut, me atë kamion po më kthejnë, po s’kam pasur më vetëdijë kurrë hiç deri në hyrje të Skenderajt. Në hymje të Skenderajt më vjen vetëdija pak, edhe e shoh veten prapë që jam kthyer. Skenderajn shumë mirë e kemi njoftë dhe thash: “More Zot kah kah kokan tu m’çu”. Edhe me një vend aty ndalën atë kamionin, është rruga me shku për spitale, kryqëzimi dhe sheshi tash kush mundet me e ditë, bile u kon edhe një pemë, i kemi thënë kojsi. Edhe këqyr një u lëshu si ma kadale, edhe bërtet tjetri edhe me gjun me kry ne asfalt. Edhe mbes aty pa ndjenja, domethënë më s’kam pas ndjenja, edhe bjen shi naten”.
Dëshmitë nga terreni flasin për plane të strukturuara, ku përveç vrasjeve, familjarët vazhdonin të përballeshin me pasojat e këtyre planeve famëkeqe, pasi trupat e viktimave zhdukeshin.
Në Poklek, viktimat u dogjën në tentativë për t’i zhdukur gjurmët e krimit. Në Izbicë, Runik, Vushtrri dhe disa zona të tjera, gjatë periudhës së luftës, bulldozerë dhe kamionë u angazhuan për të zhvarrosur dhe më pas transportuar të vrarët, të cilët u dërguan mbi 400 kilometra larg vendit të krimit, në zona si Batajnica apo Rudnica.
Fadil Muqolli sakrifikoi jetën e tij për të arritur të mblidhte eshtrat e djegur të familjarëve të tij. Beteja për mbetjet mortore ishte sfida me të cilën u detyruan të përballeshin familjarët në minutat e para pas vrasjeve.
“U kon diçka që… nuk di qysh me shpreh, nuk di qysh me shpjegu atë moment. U kon diçka e tmerrshme, diçka që s’munda me besu. I kanë vrarë, i kanë kallë, pse? Smujsha me bind veten që ka ndodhur. Jam ulur, kam kajt, kam nejtë diku nja një orë, një orë e gjysmë ulur. S’kam dasht me u afru kërkush ngatë. Më ka pru dikush pak ujë, diku pas një ore, një ore e gjysmë jam çuar në këmbë edhe kam thënë që “I gjallë si jam, unë kam me shku me hy në shtëpi.” Edhe nuk më kanë lënë vetë, jemi ardhë me 19 prill mbrëmje, jemi ardhë edhe kemi hy këtu” – rrëfen Fadili.
“Deshta me bind veten. S’mujta me besu, s’mujsha, nuk deshta me besu. S’mujsha me besu. I vrajtën të rriturit, me vra fëmijë, me djeg fëmijë, këtë nuk deshta.. s’mujsha me pranu. Jam ardhë… terr u kon natë, si jam ardhë te dera era, jemi hy në korridor, brenda në dhomë s’më kanë lënë me hy”.
Hulumtimet e Tribunalit të Hagës, hetimet e Prokurorisë Speciale dhe deklaratat e dëshmitarëve dokumentojnë se në zonë, pas vrasjeve, pati plane për zhdukjen e viktimave.
Në Izbicë, Runik dhe disa zona të tjera, fshatarët i varrosën familjarët e tyre. Por pak ditë më vonë, njësi speciale u angazhuan për zhvarrimin e tyre dhe dërgimin e trupave drejt Serbisë.
“Në Skënderaj ka pasur varre të shpërndara domethënë siç thashë ajo pjesa menjëherë mbas luftës, në numër të vogël i kemi punuar. Në Izbicë ka qenë me një shtëpi në pjesën e poshtme kur i kanë tërhequr edhe se i kanë vrarë kokat kishin mbetur në fund gardhit. Te pika e policisë së Izbicës i kemi zhvarrosur, i kanë vrarë aty domethënë bile ata për së gjalli i kishin shtirë sepse kishte pasur edhe dhe në brendësi të vrimës së gojës. Edhe deri te kjo pjesa që e quajmë te Shavarina të Drenasit, te Drenasi është punuar nga ekipi i Belgjikës kur kemi shkuar ne domethënë kishin marrë rrobat i kishin qitur me një qeskë para secilit epitaf” – thotë Arsim Gërxhaliu, ish-drejtor i Institutit të Mjekësisë Ligjore në Kosovë.
Fundi i luftës nuk është një histori gëzimi për të gjithë. Familjet e ndara nisën të gjurmonin fatin e familjarëve të tyre.
Në fund të luftës, Kryqi i Kuq Ndërkombëtar kishte evidentuar qindra të burgosur në burgjet e Serbisë. Kjo u shndërrua në një shpresë për familjet, të cilat nisën kërkimet për gjetjen e familjarëve.
Pak orë pasi trupat e NATO-s hynë në Skenderaj, Naimi niset për në shtëpi. Ai nuk kishte informacion se vëllai i tij ndodhej në burg, ndërsa babai ishte i zhdukur.
“Diku kah ora 1:00 e natës, 12:00-1:00 e natës ka mund me qenë, kur kemi hy në shtëpi, se ishin kon duke e prit këtë vëllanë, nëna e gruaja e mixhës, duke e prit këtë vëllanë tash prej merakut çka u bo me këtë të riun.Dhe kur kam hy unë, ma… britma ju ka shku të madh e të vogël, tu u qu me fëmijë, nuk dihej se çka po bëhej. Më s’kam mund me fjetë, as..haj Zoti na ruajt” – tregon momentin kur ishte kthyer në shtëpi Naimi.
Në muajt dhe vitet që pasuan, mashtrimet do të vazhdonin, duke e shtuar edhe më shumë dhimbjen e familjeve. Shumë prej tyre do të përballeshin me lajme të rreme, me shpresa të thyera dhe me një proces të gjatë e të dhimbshëm kërkimi, edhe pas varrosjes së familjarëve të tyre.
Zhvarrosja e dhunshme e viktimave dhe transportimi i tyre në vende të tjera gjymtoi trupat dhe krijoi vuajtje të reja për familjet. Kjo praktikë jo vetëm që thelloi traumën, por e bëri edhe më të vështirë identifikimin dhe gjetjen e të zhdukurve, duke lënë pas një plagë të gjatë shoqërore që vazhdoi për vite me radhë.
“Një pjesë e trupit të një personi është gjetur në Batajnicë. Jemi kthyer përsëri aty se ka punuar tribunali dhe kemi mbërritur me EULEX-in kemi shkuar kemi rrahur domethënë edhe më mirë pas tribunali ende kemi gjetur pjesë trupi aty ku është vrarë edhe një pjesë e numrit të kockave është gjetur me një varrezë në Vormicë në kufi me Shqipërinë. Domethënë një njeri i ndarë në tri varreza qysh për ta fshehur krimin domethënë qysh kanë marrë me eskavator merr këtë lugë kamion mbushet kamioni tjetër i kanë ndarë domethënë pjesët e trupit në tri varreza me një distancë thuajse 500 kilometra prej Prizrenit deri në Batajnicë edhe varreza tjetër në Vërmicë” – tregon Gërxhaliu.
Një i zhdukur, një i vrarë nuk është vetëm një numër, por një plagë e hapur që vazhdon të jetojë brenda familjeve. Edhe pas përfundimit të luftës, kërkimi për të dashurit e tyre u shndërrua në një rrugëtim të gjatë mes shpresës dhe pasigurisë. Informacionet e pjesshme, raportimet për të burgosur dhe mungesa e të vërtetës së plotë vetëm sa e shtuan dhimbjen dhe pritjen e pafund.
Edhe kur u zbuluan varreza masive dhe u identifikuan mbetje mortore në zona të ndryshme, shumë familje u përballën me zhvarrosje të dhunshme dhe zhvendosje të trupave në vende të largëta. Kjo jo vetëm që e vështirësoi identifikimin, por krijoi trauma të reja, duke i lënë familjet pa një vend të qartë ku të qanin apo të përkujtonin të afërmit e tyre.
Edhe pas 26 vitesh, dhimbja nuk është shuar. Familjarët vazhdojnë të jetojnë me mungesën, me kujtimet dhe me traumën që nuk është shëruar kurrë. Shumë prej tyre ende i shohin të dashurit në ëndrra, sikur të ishin gjallë, duke e bërë humbjen një realitet të përditshëm që nuk largohet, por vazhdon të bartet brez pas brezi.
“Festat duhet me i festu për hatër të fëmijëve që kemi, se festë për mu s’ka. Kaniherë them ma mirë mos kish pasë festa hiç, se është shumë e rëndë kur vjen një festë e t’mungojnë 14 anëtarë, është tepër e rëndë. Po për hatër të asaj që si kemi ma ata me na… me na sulmu, me na rrehë, me na burgosë, e kemi shtetin, e kemi lirinë, nëse dojnë me punu me e forcu këtë shtet” – thotë Fadil Muqolli nga Drenasi.
Në fund të kësaj historie mbetet një e vërtetë e papërfunduar: 145 persona nga Drenasi, Skenderaj dhe Vushtrria vazhdojnë të jenë të zhdukur. Pas çdo numri qëndrojnë familje që ende jetojnë me mungesën, me pritjen dhe me një dhimbje që nuk është shuar as pas më shumë se dy dekadash. Mijëra familjarë vazhdojnë të përballen me pasojat e krimeve, duke e bartur traumën në përditshmërinë e tyre dhe shpesh edhe në brezat që kanë lindur pas luftës.