Policia në trafik (Arkiv). Foto: Kallxo.com

Kontrolle të shtuara nga policia në Prishtinë

Në bazë të vlerësimeve të fundit analitike të Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugorë në Prishtinë, numri i aksidenteve në trafik është në rritje.

“NJRKRr ka shtuar masat dhe kontrollet e saj duke synuar uljen e numrit të aksidenteve, por përsëri është konstatuar se krahas kontrolleve të strukturave të policisë është e nevojshme të punohet më shumë edhe në drejtim të ndërgjegjësimit të qytetarëve për respektimin e rregullave të qarkullimit rrugor”, thuhet në njoftimin e policisë.

NJRKRr në Prishtinë ka njoftuar se kanë ndërmarrë masa, me qëllim të uljes së numrit të aksidenteve.

“NJRKRR që nga sot do të filloj me implementimin e planit operativ “Kontrolli i shtuar i komunikacionit”, ku fokusimi kryesor do të jetë në tejkalimin e shpejtësisë, tejkalimi në vijën e plotë,  si dhe kundërvajtje të tjera” thuhet në njoftimin e NJRKRr.

Ky operacion do të këtë shtrirje në të gjitha rrugët e rajonit të Prishtinës dhe do të vazhdoj deri sa të vlerësohet që ka arritur efektin e dëshiruar.