Konjufca: Ku e Kanë Hallin PAN-i?

Shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se koalicioni PAN po dëshiron me çdo kusht të vijë në pushtet, pavarësisht se, siç tha ai, nuk i ka votat për këtë.

“Ku e kanë hallin? Është shumë e thjeshtë: nuk i kanë numrat”, tha Konjufca pasi kryesuesi Adem Mikullovci lejoi grupet parlamentare t’i japin qëndrimet e tyre për situatën e krijuar.

“Qeveria e ardhshme e Kosovës është para dy alternativave: ose do t’i ketë 81 vota në krye me vetëvendosjen, ose do t’i ketë 59 vota në krye me PDK-në”, tha Konjufca.

“PAN deri tash është udhëhequr nga një logjikë totalitare dhe monopolizuese. Ata thonë ‘ose do të jemi ne në pushtet, ose institucionet nuk do të formohen fare”, shtoi ai.

Konjufca iu referua edhe thirrjes së djeshme të shteteve të QUINT-it, duke thënë se kjo thirrje “tregon më së miri se ku është defekti”.

“Zgjidhja është shumë e thjeshtë: ata të cilët nuk vijnë këtu duhet të vijnë dhe ta japin propozimin”, tha Konjufca.

Seanca që u nis pak pas orës 10 u ndërpre kur kryesuesi i seancës, Adem Mikullovci thirri për pauzë 15 minutëshe meqë në sallë ishin 55 deputetë nga 61 të nevojshëm për ta bërë kuorumin.

Kur rinisi seanca pas 15 minutave, në sallë u lajmëruan 53 deputetë.