Komunat në Gjyq

Shumë ish-kryetarë e kryetarë aktualë të komunave të Kosovës tashmë janë të akuzuar për vepra penale, kryesisht për keqpërdorimin e detyrës zyrtare.

Disa janë me kallëzime penale, disa të tjerë duke u hetuar, ka edhe prej atyre që janë dënuar.

Në Komunën e Prishtinës, në qeverisjen e Isa Mustafës (LDK), po akuzohen 10 ish-zyrtarë komunalë për keqpërdorim detyre.

Nexhat Demaku (PDK),  kryetari i Drenasit, nga Gjykata Themelore në Prishtinë është dënuar me 1 vit e gjashtë muaj burgim. Kundër kryetarit Demaku janë ngritur disa aktakuza.

Ndaj ish-kryetarit të Lipjanit, Shukri Buja (PDK), ishte ngritur aktakuzë për mosdeklarim të pasurisë. Buja u dënua me 4 muaj burg me kusht dhe 2.000 euro gjobë.

Ish-kryetari i Obiliqit, Mehmet Krasniqi (LDK), po akuzohet bashkë më 13 persona të tjerë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja (PDK), bashkë me pesë zyrtarë të tjerë komunalë akuzohen për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar. Aktakuza i ngarkon për veprën penale të keqpërdorimit me prona.

Tash, dy vjet pas shpalljes fajtor nga Gjykata Themelore në Prizren, lënda e Mujës po vazhdon të endet sa në Gjykatën e Apelit në atë Supreme dhe anasjelltas.

Kryetari i Komunës së Dragashit, Salim Jenuzi (PDK), së bashku me ish-kryesuesin e Kuvendit Komunal të Dragashit, Lulzim Rifaj, aktualisht konsull i Republikës së Kosovës në Sofje, akuzoheshin për kryerje të veprës penale – shpërdorim i pozitës zyrtare ose të autorizimit.

Mirëpo, më 22 janar 2015, ata u shpallën të pafajshëm.

Kryetari i Komunës së Suharekës, Sali Asllanaj (LDK), akuzohej po ashtu për keqpërdorim të pozitës ose autoritetit zyrtar. Mirëpo, në korrik të vitit 2013, në mungesë të provave, Prokuroria hoqi dorë nga ndjekja penale.

Ragip Begaj (NISMA), kryetari i Komunës së Malishevës, po akuzohet nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar.

Ndërsa, Nexhmedin Arifi ( PDK), ish-kryetar i Komunës së Vitisë, ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Gjilan më 15.5.2014 për veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar dhe është dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 18 muajsh, mirëpo Gjykata e Apelit e ka liruar nga akuza.

Shaip Surdulli (LDK), ish-kryetar i Komunës së Kamenicës, ishte përballur tri herë me aktakuza për keqpërdorim. Për të tri aktakuzat ishte shpallur i pafajshëm.

Begzad Sinani (PDK),  i cili aktualisht është kryetar i Komunës së Kamenicës, ka qenë i akuzuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës. Sinani dhe Hasan Keqmezi, ish-shef i Prokurimit, më 20.11.2013 ishin shpallur të lirë nga gjykimi për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Në Komunën e Parteshit akuzoheshin edhe drejtorët e Komunës. Ata akuzoheshin se pavarësisht vërejtjeve nga Inspektorati i Arsimit kanë lejuar pranimin e arsimtarëve.

Dragan Nikoliq (Lista Serbe), kryetar i Komunës së Parteshit, është liruar nga akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Xhabir Zharku (PDK), më 21 prill 2011 është dënuar nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë për veprën penale detyrim dhe armëmbajtje pa leje. Zharku është dënuar me tre vjet burgim dhe 1.500 euro gjobë.

Pasi u bë i plotfuqishëm aktgjykimi kundër tij, Zharku u arratis nga ekzekutimi i dënimit dhe thuhet të jetë aktualisht duke qëndruar në Suedi.

Bajrush Xhemajli (PDK), më 21 maj 2009 ishte përfshirë në një aksident komunikacioni, ku kishte mbetur i vdekur një qytetar. Ai u dënua me 2 vjet e gjashtë muaj burg. Aktualisht është duke e vuajtur dënimin në Burgun e Smrekovnicës.

Kryetari i Klinës, Sokol Bashota (PDK), vozitësi i tij dhe një zyrtar komunal i prokurimit kanë qenë cak i bastisjeve nga Policia për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Bajram Mulaku (PDK), kryetari i Vushtrrisë, së bashku me 3 zyrtarë të tjerë dhe një person të pestë ishin në akuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Mulaku u lirua, por dy drejtorët u dënuan.

Sami Lushtaku (PDK), kryetari i Skenderajt është i akuzuar dhe po gjykohet për një tender 6-milionësh në KEK.

Agim Bahtiri (AKR), është i fundit që u akuzua nga prokuroria për një tender rreth 700 mijë eurosh. Bashkë me të akuzohen edhe shefi i prokurimit dhe përfaqësuesi i operatorit ekonomik “HESALIGHT A/S”, Gazmend Kelmendi.

(Për tekstin kontribuuan edhe monitoruesit e KALLXO.com)

[interaction id=”56d960014ab46a010372851f”]

Foto – Policia e Kosovës

Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar armë, municion dhe pajisje ushtarake në një shtëpi të pabanuar në fshatin Mala Jabuka të komunës së Zubin Potok.

Sipas njoftimit të Policisë, njësitë policore kanë vepruar pas pranimit të një informacioni se në këtë objekt mund të gjendeshin armë.

Pas daljes në terren dhe kontrollit të lokacionit, policia ka gjetur një armë automatike AK-47, dy karikatorë të zbrazët për këtë armë, 422 fishekë të kalibrit 7.62 milimetra, 13 fishekë të kalibrit të panjohur, një fishek të kalibrit 9×19 milimetra, dy granatahedhës (tromblonë) si dhe një uniformë ushtarake me emblemë serbe.

“Pas pranimit të informatës, njësitë relevante policore kanë dalë në lokacion dhe gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar një armë AK-47, municion, dy granatahedhës (tromblonë) dhe një uniformë ushtarake me emblemë serbe”, – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Policia ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka persona të arrestuar, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.

Në fund të njoftimit, Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe ka bërë thirrje që çdo informacion që mund të kontribuojë në ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike të raportohet në numrin emergjent 192.