Foto ilustruese

Komunarët e Malishevës i vozisin makinat zyrtare jashtë rregullave(Dokument)

Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se Komuna e Malishevës nuk ka menaxhuar mirë përdorimin e automjeteve zyrtare.

Komuna nuk ka rregullore të brendshme apo procedurë për menaxhimin e automjeteve komunale, thuhet në raportin e auditimit për vitin 2018.

Auditori kishte shqyrtuar nëse ishte aplikuar Rregulla qeveritare për menaxhimin e automjeteve zyrtare, e cila përcakton se zyrtarët mund të shfrytëzojnë automjetet zyrtare vetëm pasi kërkesa të jetë aprovuar nga mbikëqyrësi i tij i drejtpërdrejtë.

Auditori ka gjetur se automjeti zyrtar në disa raste është shfrytëzuar pa aprovimin paraprak të mbikëqyrësit të drejtpërdrejtë.

Po ashtu se në disa raste nuk është përshkruar qartë qëllimi i shfrytëzimit të automjetit, dhe në disa raste për destinacione të njëjta, janë evidentuar dallime të konsiderueshme në kilometrat e kaluara nga njëri rast në tjetrin.

“Mungesën e një evidence të plotë apo përmbledhje rreth kilometrave të kaluara, derivateve dhe mirëmbajtjes së automjetit. Mungesa e udhëzuesit apo rregullores së brendshme për menaxhimin e automjeteve zyrtare ka shkaktuar paqartësi rreth kërkesave zyrtare për menaxhim dhe shfrytëzim të veturave zyrtare”, thuhet në raport.

Auditori ka konsideruar se mangësitë e identifikuara rrisin rrezikun që automjetet mund të përdoren edhe për qëllime jo zyrtare.

“Kryetari duhet të sigurojë se është hartuar një rregullore apo udhëzim i brendshëm që rregullon menaxhimin automjeteve zyrtare. Automjetet të shfrytëzohen vetëm pasi të jetë përcaktuar qartë qëllimi dhe kërkesa të jetë aprovuar paraprakisht nga mbikëqyrësi i drejtpërdrejtë i shfrytëzuesit të automjetit”, theksohet në rekomandimin e auditorit.