Foto: KALLXO.com

ZKA: KPM licencoi operatorët e shpërndarjes dhe ofruesit e shërbimeve audio dhe audiovizuele pa i plotësuar kriteret

Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca tha se Komisioni i Pavarur për Media (KPM) ka licencuar pa kritere operatorët e shpërndarjes dhe ofruesit e shërbimeve audio dhe audiovizuele.

Spanca tha se KPM nuk kishte marrë parasysh të gjitha kriteret sipas rregullores.

“Operatorët e shpërndarjes dhe ofruesit e shërbimeve audio dhe audiovizuele janë licencuar pa plotësuar kriteret, KPM nuk ka marrë parasysh të gjitha kriteret sipas rregullores”- tha Spanca.

Këto deklarata, Auditorja e Përgjithshme i bëri në një konferencë për media në të cilën paraqiti gjetjet e pesë raporteve të auditimit.

Spanca për auditimin, “Menaxhimi i licencave në Komisionin e Pavarur për Media”, tha se ripërtërirja  e licencave përcillet me mangësi të konsiderueshme të cilat rrezikojnë integritetin e sistemit të licencimit në Kosovë.

“Po ashtu ripërtërirja e licencave është përcjellë me mangësi të konsiderueshme të cilat rrezikojnë integritetin e sistemit të licencimit në Kosovë. Mediat nuk kanë respektuar në mënyrë të vazhdueshme afatin 60 ditor të aplikimit për ripërtërirjen e licencave dhe pavarësisht shkeljeve financiare, autoritetet rregullatore nuk kanë ndërmarrë masa ndëshkuese”- tha ajo.

Sa i përket menaxhimit të licencave nga KPM, Auditorja tha se kanë gjetë që shumica e mediave veprojnë pa përmbushur obligimet financiare.

Spanca tha se në planin vjetor 2023-2024 të ZKA-së janë përfshirë 123 institucione, 86 organizata buxhetore, 13 ndërmarrje publike, përfshirë edhe RTK-në, dhe 16 auditime të performancës, e 8 projekte të financuara nga Banka Botërore.

“Përveç auditimeve të detyrueshme të rregullsisë, fokus i veçantë i është dhënë auditimeve në institucione dhe ndërmarrje publike të cilat që një kohë nuk janë audituar, siç janë: Trepça, KEK-u dhe KOSTT”- tha Spanca.

Auditorja e Përgjithshme tha se aktualisht janë në proces të punës në terren për të përmbushur planin vjetor, ndërsa disa nga auditimet janë përfunduar e disa janë në përfundim e sipër.

Pesë raportet gjetjet e të cilave i shpalosi sot (13.03.2024), Auditorja e Përgjithshme, janë: “Menaxhimi i licencave në Komisionin e Pavarur për Media”; “Efektiviteti i fondeve për financimin e sportit”; “Procesi i Dokumentimit, Vlerësimit dhe Verifikimit të Sistemit për Menaxhimin e Performancës Komunale për vitin 2020”; “Barazia gjinore dhe fuqizimi i grave nga zonat rurale përmes përfshirjes së tyre në tregun e punës”; si dhe “Mekanizmat e sigurimit të cilësisë së të dhënave të raportuara për Sistemin e Menaxhimit të Performancës Komunale dhe Grantin e Performancës Komunale për vitin 2021”.