Komuna nuk Lejon Heqjen e Kubëzave nga Sheshi
Sali Zyba inspektor kompetent për hapësira publike në Komunën e Prishtinës, tha për KALLXO.com, se mirëmbajtësit kishin marrë urdhër nga një polic anonim që nuk ishte prezantuar, për të çmontuar kubëzat rreth sheshit dhe për t’i larguar.
Bëhej fjalë për kubëza të sheshit që mund të lëvizeshin.
“Një mirëmbajtës i rrugëve të sheshit e ka pranuar një urdhër nga një polic anonim i cili nuk i është prezantuar, për me i heq të gjitha kockat nëpër shesh çka janë. Të gjitha kockat që janë të mundshme për me lëvizë, që janë në projekt në shesh”, tha Zyba duke iu referuar kubëzave të sheshit.
Ai tha se si përgjegjës për sheshin nuk i ka lejuar mirëmbajtësit për ta bërë një gjë të tillë.
“Unë i thashë që urdhri nuk duhet me u zbatu, sepse nuk është dhënë me shkrim dhe nuk është prej njerëzve kompetentë. I thashë ti je për mirëmbajtje të sheshit, jo për renovim, tjetërsim apo çmontim. Ata veç kishin fillu mi heq kockat,” tha ai.
Ndërkaq, zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci tha për KALLXO.com, se policia nuk ka dhënë urdhëresë zyrtare për largimin e kubëzave.
“Ne nuk e kemi urdhëruar kërkon për me i heq kockat. Ka mujt me qenë ndonjë keqkuptim gjatë komunikimit. Por policia nuk ka dhënë urdhër për këtë punë”, u shpreh Borovci duke iu referuar kubëzave.