Dekorimi i Miglietta-s | Foto: Zyra e Presidentit

Komanda e KFOR nga Miglietta tek Fungo

Sot është mbajtur ceremonia e ndërrimit të komandës të forcave paqeruajtëse të KFOR-it.

Gjenerali Guiglielmo Luigi Miglietta ia dorëzoi komandën gjeneralit Giovanni Fungo.

Në ceremoni i pranishëm ishte edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i cili falënderoi KFOR-in për angazhimin e tyre paqeruajtës në Kosovë.

“KFOR-i vazhdon të mbetet organizata që gëzon besimin më të madh të qytetarëve të Kosovës. Kjo nuk është e rastësishme. Është rezultat i punës profesionale, të paanshme, të suksesshme që trupat e KFOR-it kanë bërë gjatë tërë këtyre viteve”, u shpreh presidenti Thaçi.

Thaçi gjithashtu theksoi se KFOR-i është angazhuar ndër të tjerash edhe në ndërtimin e paqes jo vetëm ruajtjen e saj në vend.

“KFOR-i mbron kufijtë e jashtëm të Kosovës, por edhe përkrah Kosovën përbrenda. KFOR-i ofron ndihmë humanitare të gjithanshme për të gjitha komunitetet. KFOR-i përkrah shkollat, spitalet, organizatat joqeveritare, mediat. KFOR-i mbështet drejtpërdrejt çdo qytetar të Kosovës, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike apo rajonin ku ata jetojnë. Pra, KFOR-i në Kosovë jo vetëm që ruan paqen, por edhe ndërton paqen,” tha presidenti Thaçi.

Presidenti dekoroi gjeneralin  në largim, Miglietta me Medaljen Ushtarake të Presidentit të Kosovës për nder të punës së tij në Kosovë.

Të pranishëm në ndërrimin e komandës së KFOR-it ishin edhe Kryeministri Isa Mustafa dhe kryetari i Kuvendit Kadri Veseli.