Pamje teksa KFOR-i i pengon të largohen gazetarët që sulmohen në Leposaviq. FOTO: Screenshot RTV Dukagjini.

KFOR-i dënon sulmet ndaj gazetarëve: Policia e Kosovës mbetet përgjegjëse për sigurimin e sundimit të ligjit

Trupat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, KFOR-i, i kanë dënuar sulmet ndaj gazetarëve që kanë ndorur të premten në Leposaviq.

“KFOR-i dënon ashpër sulmet ndaj gazetarëve në veri të Kosovës gjatë ushtrimit të profesionit të tyre. Liria e shtypit dhe liria e shprehjes janë vlera themelore të cilat duhet të respektohen nga të gjithë”- thuhet në komunikatën për media.

KFOR-i po ashtu u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna ose veprimet e mëtejshme që mund të çojnë në përshkallëzim të mëtejshëm dhe të sigurojnë që mediat të mund të kryejnë punën e tyre në mënyrë të sigurt.

Të premten ka pasur reagime për mos ndërhyrje të KFOR-it që t’iu ndihmojë gazetarëve gjatë kohës kur ata sulmoheshin.

KALLXO.com ka dërguar pyetje te KFOR-it lidhur më këtë.

Në komunikatën e tyre, KFORI ka thënë se Policia e Kosovës mbetet përgjegjëse për sigurimin e sundimit të ligjit në mbarë Kosovën.

“Pas incidenteve të 29 majit, kur një numër i madh i paqeruajtësve të KFOR-it u plagosën në sulme të paprovokuara, trupat e KFOR-it janë vendosur rreth ndërtesave të komunave veriore për të ndihmuar në parandalimin e përleshjeve të mëtejshme. KFOR-i mbetet reaguesi i tretë dhe Policia e Kosovës mbetet përgjegjëse për sigurimin e sundimit të ligjit në mbarë Kosovën”-është thënë në komunikatën e KFOR-it.

Policia e Kosovës të premten ka njoftuar se nëntë gazetarë në Leposaviq janë sulmuar dhe se disa prej tyre përveç shqetësimeve kanë pësuar edhe lëndime të ndryshme trupore, si dhe kanë pranuar tretman mjekësor.

Sipas Policisë, ekipeve të mediave iu janë dëmtuar pajisje të ndryshme të xhirimeve, ku njërit prej tyre iu është grabitur kamera zyrtare e mediumit, përderisa tjetrit, thuhet se iu është grabitur një telefon celular.

RTV Dukagjini ka siguruar pamje gjatë kohës kur ndodhte sulmi ndaj gazetarëve.

Gjatë kohës kur gazetarët vraponin për t’iu larguar rrezikut, në video shihen ushtarët e KFOR-it që ua zënë rrugën gazetarëve duke i penguar ata që të largohen.

Gjithashtu edhe AGK reagoi duke kërkuar nga KFOR që të “paktën” mos t’i pengojnë gazetarët në raportim.