Gjykimi i Fatmir Limajt | Foto: KALLXO.com

Kërkohet Përjashtimi i Avokatit të Grabovcit

Prokurori Charles Hardaway në gjykimin e Fatmir Limajt dhe të tjerëve kërkoi përjashtimin e avokatit Florent Latifaj që në këtë proces mbron të akuzuarin Nexhat Krasniqi.

Hardaway kërkesën e tij për përjashtim e arsyetoi me faktin se përveç që përfaqëson Krasniqin, Latifaj është edhe avokat i Adem Grabovcit në hetimet që atij po i bëhen për përgjimet.

Grabovci ishte zëvendësministër në ish-Ministrinë e Transportit dhe Telekomunikacionit që në gjykimin e Limajt dhe të tjerëve është palë e dëmtuar.

Prokurori tha se në këtë rast avokati Latifaj ka konflikt interesi, pasi në proces si dëshmitar i prokurorisë do të jetë edhe Adem Grabovci.

Avokati Latifaj e kundërshtoi prokurorin duke e cilësuar kërkesën e tij “paragjykim të pastër të asaj që mund të ndodhë në të ardhmen”.

“Nuk ka asnjë bazë juridike në Kodin e Procedurës penale që e parasheh këtë. Këtu po luhet ping-pong me mbrojtjen dhe lë më që nuk ka bazë ligjore, por as logjike,” tha Latifaj.

Avokati propozoi që kur të merret në pyetje Adem Grabovci, të mos jetë i pranishëm në seancë, por edhe këtë propozim e kundërshtoi prokurori Hardaëay.

Gjyqtarja Maria Tuma e pyeti avokatin Latifaj nëse përveç përfaqësimit të Krasniqit e Grabovcit është edhe këshilltar i jashtëm në Ministrinë e Drejtësisë, duke e cilësuar edhe këtë ministri palë të dëmtuar.

Latifaj e pranoi se është këshilltar i jashtëm i Ministrisë së Drejtësisë, por mohoi se kjo ministri është palë e dëmtuar e këtij gjykimi.

Ai tha se nuk ka përfaqësuar, ose këshilluar ministrinë, por vetëm është këshilltar i jashtëm i ministres, ndërsa shtoi se ka edhe këshilltarë të Kryeministrit që si ai punojnë në profesionin e avokatit.

Por prokurori Hardaway duke u ndërlidhur me debatin mes gjyqtares Tuma e avokatit Latifaj tha se në këtë rast avokati ka kryer detyra për palën e dëmtuar.

“Latifaj ka pasur një raport profesional me ministren e drejtësisë derisa përfaqësonte Krasniqin dhe kodi i procedurës është i qartë. Ai ka kryer detyra për palën e dëmtuar,” tha prokurori.

Gjyqtarja Maria Tuma tha se do të vendosë për përjashtimin ose jo të avokatit Latifaj pas pauzës.

Pas sqarimit rreth çështjes së avokatit, pritet të dëshmojë Ekrem Demolli, zyrtar në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Fatmir Limaj akuzohet për shpërdorim detyre dhe krim të organizuar në kohën sa drejtonte ish-Ministrinë e Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit.

Në procesin e njëjtë me Limajn për të njëjtat akuza nga Prokuroria Speciale e Kosovës po ngarkohen edhe Nexhat Krasniqi e Endrit Shala. Pjesë e gjykimit janë edhe Shpëtim Telaku dhe Florim Suka.