I sanksionuari i SHBA-së, Nexhat Krasniqi

Ministria e Liburn Aliut dërgon kërkesë për marrjen e masave disiplinore për Nexhat Krasniqin

Ministria e Infrastrukturës iu është drejtuar me kërkesë Komisioni Disiplinor të kësaj ministrie, që të trajtojnë rastin e Nexhat Krasniqit, pasi të njëjtit iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

Ministri Liburn Aliu ka publikuar kërkesën duke thënë se dje kanë dorëzuar tek Komisioni Disiplinor i Ministrisë, kërkesën për marrjen e masave disiplinore ndaj nëpunësit civil, Nexhat Krasniqi.

“Duke pasur parasysh raportet sociale mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, konsiderojmë se kjo çështje duhet të trajtohet nga aspekti i përgjegjësisë disiplinore dhe shqiptimit të masave disiplinore, sepse konsiderojmë që kjo paraqet shkelje të rëndë të detyrave dhe përgjegjësive”- thuhet në vendimin e publikuar nga ministri Aliu.

 

Nexhat Krasniqi, tashmë ish-shef i Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, më 3 nëntor ka hyrë në listën e sanksioneve të Departamentit Amerikan të Shtetit, duke iu ndaluar hyrja atij dhe dy fëmijëve të tij.

DASH në vendim e ka caktuar si “të papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të madh”.

Nexhat Krasniqi, i cili pas sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), është pezulluar nga detyra e udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), ka reaguar pas kritikave të shumta kur u emërua përkohësisht si drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore në të njëjtën ministri.

Krasniqi thotë se në Kosovë nuk është dënuar asnjëherë për korrupsion apo marrje të ryshfetit.

Nexhat Krasniqi mohon akuzat se ka qenë i përfshirë në korrupsion