Sinan Vllasaliu i akuzuar për shmangie tatimore - (foto 21.09.2023)

Me kërkesë të avokatit, shtyhet sërish gjykimi ndaj Sinan Vllasaliut

Këngëtari kosovar, Sinan Vllasaliu nga Prokuroria Themelore në Prishtinë po akuzohet se i është shmangur tatimit  duke dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej 24 mijë euro për periudhën kohore 2011-2015, kjo pasi i njëjti nuk ka deklaruar qarkullimin e aktiviteteve ekonomike.

Seanca gjyqësore për këtë rast, e cila paraprakisht ishte përcaktuar të mbahet sot nuk është mbajtur. Sipas gjyqtares së rastit Naime Krasniqi-Jashanica seanca, është shtyrë pas kërkesës së avokatit Florent Latifaj i cili përfaqëson Sinan Vllasaliun.

“Unë e kam bërë të ditur për të gjitha mediumet…faktikisht është shtyrë seanca për nesër dhe të gjitha palët në procedurë janë njoftuar përmes një emaili zyrtar që e kam lëshuar për të informuar, sepse avokati ka qenë i zënë në një shqyrtim gjyqësor që e ka në Departamentin Special me sa e di unë dhe faktikisht ai ka proceduar te unë një kërkesë me e shty për një ditë më shumë” – tha gjyqtarja Krasniqi- Jashanica.

Ndërkaq, KALLXO.com ka kontaktuar edhe avokatin mbrojtës të të akuzuarit, por që i njëjti ka thënë që seanca ka qenë e paraparë për nesër.

“Nesër është jo sot”- u përgjigj shkurt Latifaj për KALLXO.com.

Në seancën e 13 dhjetorit të këtij viti, gjykimi ndaj Vllasaliut nuk ishte mbajtur pasi që ky i fundit nuk kishte pranuar të vazhdojë gjykimin në mungesë të avokatit të tij, për të cilin gjyqtarja kishte njoftuar palët që është njoftuar me e-mail zyrtar nga avokati për mungesën e tij.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, i akuzuari Sinan Vllasaliu në vazhdimësi për vitet fiskale 2011-2015 që ndërlidhet me pagesat tatimore, tarifa apo kontribute të tjera pranë ATK-së me qëllim të përfitimit të paligjshëm, nuk ka deklaruar apo ka deklaruar pjesërisht qarkullimin real nga aktiviteti i tij ekonomik dhe me këtë veprim ka dëmtuar buxhetin e shtetit në shumë prej mbi 24 mijë euro.

Kështu Vllasaliu, sipas aktakuzës, ka konsumuar veprën penale – shmangie nga tatimi.