I sanksionuari i SHBA-së, Nexhat Krasniqi

Komisioni e largon nga shërbimi civil të sanksionuarin nga SHBA-ja, Nexhat Krasniqin

Komisioni disiplinor ka marrë vendim që ta largojë nga shërbimi civil Nexhat Krasniqin, pasi i njëjti në fillim të këtij muaji u hyri në listë të zezë të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Kështu njoftoi ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, duke thënë se për procesin e Nexhat Krasniqit ka informuar edhe Ambasadën e SHBA-së.

“Më 3 nëntor është bërë publike që për z. Krasniqi ka masë nga SHBa dhe në po të njëjtën ditë është marrë vendimi i pezullimit nga pozita, dhe që nga ajo ditë, deri sot kemi arritë në pozitën që Nexhat Krasniqi me vendim e Komisionit Disiplinor është hequr nga shërbimi civil” – tha ministri Aliu.

“Në ndërkohë më 15 nëntor është vendos në pozitën UD të përkohshme, pastaj do të hapet konkursi për dy pozitat dhe më datën 20 nëntor, të hënën, është bërë kërkesa nga komisioni disipinor për të marrë vendimin, dhe është marrë sot. Ky është procesi, e kemi mbajtë të informuar edhe Qeverinë dhe Ambasadën të SHBA-së. Sot e kemi të kryer si proces, dhe ka shkuar normal” – ka thënë Aliu.

Dje, Ministria e Infrastrukturës njoftoi i është drejtuar me kërkesë Komisionit Disiplinor të kësaj ministrie, që të trajtojnë rastin e Nexhat Krasniqit, pasi të njëjtit iu ndalua hyrja në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Nexhat Krasniqi, tashmë ish-shef i Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës, më 3 nëntor ka hyrë në listën e sanksioneve të Departamentit Amerikan të Shtetit, duke iu ndaluar hyrja atij dhe dy fëmijëve të tij.

DASH në vendim e ka caktuar si “të papërshtatshëm për hyrje në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të madh”.

Nexhat Krasniqi, i cili pas sanksioneve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), është pezulluar nga detyra e udhëheqësit të Divizionit të Prokurimit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), ka reaguar pas kritikave të shumta kur u emërua përkohësisht si drejtor i Departamentit të Infrastrukturës Rrugore në të njëjtën ministri.

Krasniqi thotë se në Kosovë nuk është dënuar asnjëherë për korrupsion apo marrje të ryshfetit.