Sinan Vllasaliu i akuzuar për shmangie tatimore - (foto 21.09.2023)

Mungoi avokati, shtyhet gjykimi ndaj Sinan Vllasaliut i akuzuar për shmangie tatimi

I akuzuari për shmangie tatimore, këngëtari Sinan Vllasaliu u paraqit në Gjykatën e Prishtinës për tu përballur me pretendimet që prokuroria i vë në barrë, Por për dallim prej të akuzuarit, prezent në sallë nuk ishte mbrojtësi i tij Florent Latifaj.

Latifaj kishte njoftuar gjykatën se nuk do të prezantojë në këtë gjykim për arsye se i njëjti është i angazhuar në gjykime të tjera.

“Mungon avokati Florent Latifaj, i cili për mes shkresave e ka njoftuar gjykatën që nuk mund të jetë i pranishëm në gjykimin e sotëm, për shkak se është i nxënë në përfaqësimet e tij në një çështje tjetër” – njoftoi palët gjyqtarja e rastit Naime Krasniqi- Jashanica

Ndërkaq vetë i akuzuari Vllasaliu u deklarua se nuk dëshiron të vazhdojë seancën pa qenë prezent mbrojtësi i tij. Në këto rrethana gjyqtarja konstatoi se nuk ka kushte për vazhdimin e gjykimit duke e shtyer të njëjtin për një datë tjetër.

Seanca e fundit për këtë rast ishte mbajtur me 21 shtator të këtij viti ku kishte dëshmuar përfaqësuesi i ATK-së, Fidan Tolaj.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, i akuzuari Sinan Vllasaliu në vazhdimësi për vitet fiskale 2011-2015 që ndërlidhet me pagesat tatimore, tarifa apo kontribute të tjera pranë ATK-së me qëllim të përfitimit të paligjshëm, nuk ka deklaruar apo ka deklaruar pjesërisht qarkullimin real nga aktiviteti i tij ekonomik dhe me këtë veprim ka dëmtuar buxhetin e shtetit në shumë prej mbi 24 mijë euro.

Kështu Vllasaliu, sipas aktakuzës, ka konsumuar veprën penale – shmangie nga tatimi.