Katër dëshmitarë dëshmojnë në gjykimin e ish- kryeinspektorit të Komunës e Kamenicës

Katër dëshmitarë janë dëgjuar në rigjykimin e ish-kryeinspektorit të Komunës së Kamenicës, Refik Latifaj.

I akuzuari që po gjykohet për keqpërdorim detyre në cilësinë e kryeinspektorit të Komunës së Kamenicës

Ai ishte dënuar më parë me 6 muaj burg nga Gjykata e Gjilanit.

Vendimi ishte vërtetuar nga Gjykata e Apelit por pas vërejtjeve të Gjykatës Supreme, ky rast është kthyer në rigjykim.

Trupi gjykues, në përbërje nga Aziz Shaqiri kryetar, Ramiz Azizi dhe Venhar Saliu anëtarë, në hapje të shqyrtimit gjyqësor njoftoi se për seancën e sotme vazhdohet me procedurën provuese, ku do të dëshmojnë katër dëshmitarë të propozuar nga Prokuroria e Shtetit.

Shaban Thaqi, Afrim Spahiu, Ramiz Spahiu dhe Rexhep Veseli gjatë dëshmisë në Gjykatë theksuan se mbesin në tërësi pranë deklaratave të tyre të dhëna më parë në Polici, Prokurori e në shqyrtimin e kaluar gjyqësor.

Shaban Thaqi, pronar i firmës “Imrani company”, tregoi se të pandehurin Refik Latifaj gjatë periudhës 2013-2014, e ka njohur si inspektor i Komunës së Kamenicës dhe se kontaktet me të i ka pasur veç zyrtarisht.

“Me Refikun kam kontaktuar veç zyrtarisht edhe atë kur kanë dalë në terren edhe atë kur ka ardhë në separacion përkatësisht në selinë e firmës sime. Kur ka ardhë me inspektorë të tjerë në selinë e firmës sime, ka ardhur  sipas detyrës zyrtare dhe se të njëjtit unë nuk i kam thirrur”, deklaroi Shaban Spahiu.

Më tutje ky dëshmitar tregoi se e ka pasur numrin e telefonit të të pandehurit Refik, por nuk i kujtohet se a e ka thirrur ndonjëherë në telefon. Ai theksoi se nuk i kujtohet të jetë takuar ndonjëherë me të pandehurin Refik Latifaj pas orarit të punës në ndonjë vend apo hotel.

Prokurori Isuf Sadiku e ballafaqoi me deklaratën e tij të dhënë në procesverbalin e marrjes në pyetje në Prokurori të datës 5 nëntor të vitit 2014  ku Shaban Thaqi ishte përgjigjur pyetjes së prokurorit me fjalët: “Po jemi takuar, ka mundësi të kemi ngrënë ndonjë drekë”.

Prokurori i kërkoi që të japë përgjigje se cila është e vërteta, a jeni takuar me Refik Latifajn jashtë orarit të punës përkatësisht jashtë takimit zyrtar siç edhe më herët deklaruat se e njeh vetëm si inspektor komunal?

“E mbështes atë që e kam dhënë në prokurori dhe se mund të kem harruar për shkak se ka kaluar një kohë e gjatë”, u përgjigj dëshmitari Shaban Thaqi.

Gjykimi vazhdoi me marrjen pyetje të dëshmitarit Afrim Spahiu, i cili deklaroi se mbetet në tërësi pranë dëshmisë së dhënë më herët dhe se Refik Latifajn e njeh vetëm si inspektor komunal në Komunën e Kamenicës, por mbi baza të tjera jo, dhe se me të as nuk kanë lidhje familjare apo shoqërore.

Ky dëshmitar tregoi se gjatë periudhës 2013-2014 ka ushtruar veprimtarinë e separimit të zallit edhe atë si pronar i firmës “Besi Comerc”. “Unë asnjëherë nuk kam eksploatuar zall nga lumenjtë që kalojnë në komunën e Kamenicës dhe se me Refik Latifajn asnjëherë nuk kam pasur kontakt pa marrë parasysh në çfarë forme me të”, deklaroi ndër tjera Afrim Spahiu.

Dëshmitari Ramiz Spahiu, i cili punonte si vozitës në firmën “Besi Com” theksoi se me Refik Latifajn nuk kanë asnjë lidhje shoqërore apo familjare por e njeh vetëm si inspektor komunal.

Ai u pyet për një moment kur policia gjatë vitit 2013-2014  ia kishte ndalur një kamion me zall dhe thirrjen që ky ua kishte bërë inspektorëve komunalë, përkatësisht të pandehurit Refik Latifaj.

“Policia ma kanë ndalë kamionin me zall dhe e kanë mbajtë përmbi një orë, unë i kam thirrë inspektorët dhe ju kam thënë se a jeni tu ardhë a ku jeni, dhe e di që më është përgjigjur në telefon inspektori Refik Latifaj, duke më njoftuar se janë duke ardhur”, deklaroi ndër të tjera Ramiz Spahiu.

Ai ndër të tjera shtoi se numrin e telefonit të akuzuarit Refik e kishte marrë prej një personi por që tani nuk e di kush ka qenë ai.

Po ashtu ai pohoi se ka ndodhur që “dy-tri herë” ta ketë thirrur në telefon Refikun kur Policia ia ka ndalë kamionin.

Për fund dëshminë e dha Rexhep Veseli, pronar i firmës “Agi Dani” me veprimtari të transportimit, eksportit dhe importit të zallit.

Ky dëshmitar tregoi se firma e tij kishte pasur leje të punës vetëm për të bartë zall prej Serbisë në Kosovë.

Sa i përket kontaktit me të pandehurin Refik Latifaj, dëshmitari tregoi se atë e njeh vetëm si inspektor komunal në Kamenicë dhe se me të nuk është takuar asnjëherë.

“Me inspektorin Refik asnjëherë s’jam takuar mirëpo me telefon po, ai më ka thirrur por unë s’ju kam përgjigj. Më ka thirrë njëherë, kam komuniku dhe ai më ka kërkuar se a kam mundësi t’ia siguroj 20 kubikë zall, kurse unë i kam thënë se nuk muj, nuk kam mundësi dhe tjetër fjalë nuk kam folë, se për kë i ka lyp këto 20 kubikë ai këtë unë nuk e di”, deklaroi dëshmitari Rexhep Veseli.

Ky dëshmitar u pyet edhe për mundësinë e kontaktimit nga  Shaban Thaqi për sigurimin e rërës për të pandehurin Refik Latifaj.

“Shaban Thaqi më ka thirrë me i transportu rërë për nevojat e tij dhe se i njëjti ka pasë leverdi që më ka thirrë mua por unë atij nuk i kam dërguar rërë”, tha dëshmitari.

Për fund, dëshmitari sqaroi se “të pandehurin Refik e kam njohur vetëm si inspektor i Komunës së Kamenicës dhe me të njëjtin nuk jemi takuar asnjëherë dhe nuk kemi pasur raporte të afërta shoqërore edhe pse në rastin konkret kemi të bëjmë me një proces të dështuar të sigurimit të rërës”.

Sipas aktakuzës, Refik Latifaj gjatë periudhës kohore 2013/14 në cilësinë e shefit të Inspektoratit Komunal të Kamenicës në vazhdimësi ka keqpërdorur detyrën zyrtare duke ndihmuar në forma të ndryshme mbi 6 kompani që merren me eksploatimin e rërës dhe zhavorrit.

Aktakuza sqaron se këtë ndihmë Latifaj e ka bërë duke dhënë instruksione për eksploatim ilegal të rërës dhe zhavorrit dhe duke i udhëzuar kompanitë që të pajisen me dokumente fiktive doganore si mbulesë e veprimtarisë së tyre.

Gjykimi do të vazhdojë nesër.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët për këtë rast:

https://kallxo.com/shtyhet-gjykimi-kryeinspektorit-te-kamenices/

www.kallxo.com