Dosja e Prokurorisë për avokatin që akuzohet se kërkoi 8 mijë euro për të ndikuar tek tre gjyqtarë

Avokati Hamdi Jashari është paraqitur të martën para Gjykatës së Prishtinës në cilësinë e të akuzuarit për t’u përballur me akuzat që i rëndojnë mbi të për ushtrim ndikimi.

Avokati Hamdi Jashari në seancën e sotme, u deklarua i pafajshëm kundrejt akuzave që rëndojnë për të.

Këtë rast po e gjykon gjyqtari i Departamentit të Krimeve të Rënda, Naser Foniqi ndërsa Prokurorinë në seancë sot e përfaqësoi Prokurori Bekim Kodraliu.

Për këto akuza, Jashari kishte qëndruar edhe nën masën e paraburgimit nga qershori deri në tetor të vitit që lamë pas kur Gjykata Supreme mori vendim për ndërprerjen e kësaj mase. 

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, i akuzuari në cilësinë e avokatit mbrojtës ka kërkuar dhe pranuar në mënyrë direkte shumën prej 8 mijë euro me qëllim të ushtrimit të ndikimit në vendimmarrjen e kolegjit shqyrtues për ekstradimin e klientit të tij.

Dosja thotë se vepra është kryer në periudhën kohore prej 25 maj deri në 2 qershor të vitit 2022.

Jashari, sipas aktakuzës, duke qenë avokat mbrojtës i të dënuarit e të kërkuarit për vrasje A.A. për të cilin ka pasur kërkesë për ekstradim nga Prokuroria Themelore e Gjilanit, ka pranuar shumën e lartcekur nga vëllai i klientit të tij.

Këtë shumë, siç thuhet në aktakuzë, Jashari ka pasur për qëllim të ia jap kolegjit të Gjyqtarëve të cilët kishin për të vendosur për ekstradimin e të mbrojturit A.A. në Maqedoninë e Veriut. Qëllimi i Jasharit, sipas Prokurorisë, ka qenë ushtrimi i ndikimit në mënyrë që kërkesa për ekstradim të refuzohej.

Sipas aktakuzës ky kolegj përbëhej nga gjyqtarët e Gjykatës së Gjilanit, Naser Maliqi, Aziz Shaqiri dhe Veli Kryeziu.

Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në koordinim me Prokurorinë e Prishtinës pas zhvillimit të hetimeve preliminare kishin arrestuar avokatin Jashari, pasi dyshohet se ka kryer veprën e tillë.

Sipas versionit të të akuzuarit të dhënë në Prokurori, shuma e kërkuar prej familjarëve të klientit ka qenë për raste të mëhershme gjyqësore për të cilat A.A. nuk i ka përmbushur obligimet financiare.

Ndërkaq, i akuzuari Jashari i cilësoi si “tejet armiqësore” raportet me gjyqtarin Veli Kryeziu.

Prokuroria këto veprime i ka kualifikuar me veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” e sanksionuar me nenin 424 të legjislacionit penal në fuqi.

Sipas Kodit Penal, kushdo që dënohet për vepër të tillë mund të dënohet prej gjashtë muaj deri në tetë vjet.