KALLXO 360: Gjoba për Mbeturinat

Vullnetarë të organizatës “Let’s do it Kosova” dhe Komuna e Prishtinës kanë hequr një deponi të egër mbeturinash, kundërmimi i të cilës ishte bërë shqetësim për banorët që frekuentojnë rrugën “Shkupi” të kryeqytetit.

Deponia është hequr pas një “fushate” në “Facebook” të një qytetari të Prishtinës.

Në një prononcim për KALLXO.com, Milot Hasimja bën fajtorë qytetarët për këtë dhe deponi të tjera të mbeturinave.

Sipas tij, një nga mënyrat që të ndalohet krijimi i deponive të egra të mbeturinave është gjobitja e qytetarëve.

Ndërsa, drejtori i Shërbimeve Publike i Komunës së Prishtinës, Gent Begolli, tha për KALLXO.com se deri më 1 tetor pritet që të pastrohen të gjitha deponitë e egra të mbeturinave.

Po ashtu, Begolli tha se Inspektorati do të fillojë inspektimin dhe do të gjobitë qytetarët dhe kompanitë të cilat hedhin mbeturina vend e pavend.