Kadri Veseli fton opozitarët në takim për rezolutën e dialogut

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, u ka dërguar sot ftesat kryetarëve të partive opozitare për takim të enjten në ora 11:00 , ku sipas ftesës, ata janë të ftuar të diskutojnë për harmonizimin e qëndrimeve për rezolutën për dialogun Kosovë-Serbi.

“Me anën e kësaj letre, dëshiroj t’ju ftoj, Ju ose përfaqësuesin e partisë tuaj, në një takim gjithëpërfshirës në mënyrë që të dakordohemi dhe kështu të ndërtojmë një frymë bashkëpunimi për çështjen e dialogut. Kohezioni politik i brendshëm, është i domosdoshëm, për të mundësuar forcimin e pozicionit negociator të Kosovës si dhe për të përmbushur aspiratat që ne kemi për të zënë vendin që na takon në OKB, BE, NATO dhe forumet tjera ndërkombëtare”, thuhet në ftesën që kreu i Kuvendit u ka dërguar krerëve të partive opozitare.

Në letrën e Veselit thuhet se të gjitha partitë parlamentare e mbështesin në parim procesin e dialogut, por kanë dallime në qasje duke ofruar propozime të ndryshme rreth rezolutës për procesin e dialogut.

“Prandaj kam vendosur që të ftoj të gjithë udhëheqësit e partive parlamentare për të diskutuar e harmonizuar një rezolutë të përbashkët në Kuvend”, thuhet në ftesën e Veselit.

Takimi do të mbahet të entjen në ora 11:00 në objektin e Kuvendit.

Letra e Kadri Veselit drejtuar kretu të LDK-së, Isa Musafa