Nga gjykimi i Naser Kelmendit | Foto: KALLXO.com

K1 Flet për Përzierjen dhe Dërgesat e Drogës

Dëshmitari i sotëm në gjykimin e Naser Kelmendit i koduar me shifrën K1 foli për disa takime në të cilat kishte marrë pjesë edhe Naser Kelmendi, ndërsa ishte diskutuar për dërgesat e drogës dhe cilësinë e saj.

Ai u pyet nga prokurori në lidhje me një fletore të mbajtur prej tij ku shënoheshin sasitë e drogës dhe destinacioni i tyre.

K1 tregoi se mori pjesë në një takim në Pejë ku ishte ftuar për ta përpunuar (përzier) një sasi droge të llojit heroinë prej 110 kilogramëve, por tha se përzierja e saj ishte anuluar, pasi sipas tij droga ishte vlerësuar e kualitetit të dobët.

K1 tha se kjo drogë në atë takim në Pejë u vendos që të dërgohej në Gjermani e papërzier.

Dëshmitari i sotëm përmendi edhe një takim tjetër të zhvilluar në Hotelin “Casa Grande” në Bosnjë e Hercegovinë ku gjithashtu ishte i pranishëm Naser Kelmendi.

Në këtë takim sipas dëshmitarit K1 u diskutua rreth ankesave të blerësve të drogës dhe për disa shoferë që kishin vonuar dërgesat gjatë transportit.

K1 në gjykimin e Kelmendit dëshmoi për disa ditë edhe në maj të këtij viti.

Edhe atëherë foli për dërgesa dhe përpunim droge.

http://kallxo.com/k1-delaliq-nuk-donte-droge-ne-sarajeve/

http://kallxo.com/k1-ia-shpetova-jeten-kelmendit/

http://kallxo.com/k1-delaliq-nuk-donte-droge-ne-sarajeve/

Naser Kelmendi akuzohet për vrasje të rëndë, për krim të organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike.

Ai krahas shtetësisë kosovare e ka edhe atë boshnjake, ndërsa u arrestua nga Policia e Kosovës në majin e 2013-ës, pasi u kërkua me fletarrest ndërkombëtar nga Bosnja.

Pasi Bosnja e Kosova nuk kanë marrëdhënie diplomatike dhe as marrëveshje ekstradimi, Kelmendi është duke u gjykuar në Kosovë, por ai ka akuzë edhe në Bosnjë.

Në Bosnjë Kelmendi akuzohet për krim të organizuar, vrasje të mbetur në tentativë dhe për shitje e shpërndarje të substancave narkotike në Amerikën Latine, Turqi, Serbi, Kroaci dhe shtetet tjera të Evropës Perëndimore.

Kur iu lexua aktakuza më 16 janar, Kelmendi u deklarua i pafajshëm, ndërsa e cilësoi  aktakuzën një prodhim nga Bosnja.