Foto-ilustrim

Jeta me Mbeturina në ‘Taphane’ të Pejës

Ka më shumë se 30 vjet që në Lagjen “Taphane” në Pejë është bërë një deponi e mbeturinave urbane që vështirëson jetën e qytetarëve të kësaj ane.

Banorët kanë raportuar në KALLXO.com për vështirësitë e të jetuarit në afërsi të mbeturinave.

Qytetarët janë shprehur të pakënaqur me punën e Komunës së Pejës duke thënë se nuk është bërë asgjë në drejtim të zgjidhjes së këtij problemi.

Durim Sheremeti, shefi i kabinetit të Kryetarit të Komunës së Pejës tha se këta banorë janë rritur me këtë qendër transferi të mbeturinave.

“Prej aty [lagjes ‘Taphane’] mbeturinat që grumbullohen gjatë ditës në pjesën e dytë transferohen në deponi, Komuna e Pejës nuk e heq përgjegjësinë e saj, as për këtë pjesë të qytetit,” tha Sheremeti.

Por ai bëri të ditur se mbeturinat në të ardhmen nuk do të grumbullohen në këtë lagje.

“Shoqëria Aksionare ‘Ambienti’ tashmë ka lokacion të ri dhe këto mbeturina do të kalojnë në pjesën tjetër të qytetit duke liruar kështu hapësirën në këtë lagje,” tha Sheremeti.

Por raportuesit në KALLXO.com shqetësohen se mos nga këto mbeturina përhapet ndonjë sëmundje, sidomos në këto ditë të nxehta vere.

Për mbeturinat në Pejë KALLXO.com shkroi edhe më herët.

http://kallxo.com/peja-lulezon-nga-mbeturinat/

http://kallxo.com/mbeturinat-mysafire-te-pernatshem-te-sheshit-ne-peje/