Jepet Fjala Përfundimtare në Rastin e Reshtanit

Palët ndërgjyqësore kanë dhënë sot fjalën përfundimtare në Gjykatën Themelore të Prizrenit në rigjykimin e rastit të rrahjes masive që ka ndodhur më 2 gusht 2012 në Reshtan të Suharekës, ku i vdekur ka mbetur Burim Kryeziu.

Në këtë përleshje ishin përfshirë familja e Nuhi Kryeziut, në njërën anë, dhe familjet e vëllait të tij Jonuz Kryeziut dhe e dhëndrit (njëkohësisht edhe mik) Izet Shala nga Peqani. Burimi, i cili kishte vdekur nga plagët e marra në këtë rrahje, ishte i biri i Nuhiut.

Në seancën e sotme, Prokuroria tha se qëndron pranë aktakuzës dhe kërkoi që të akuzuarit të shpallen fajtorë.

Ndërsa, mbrojtësit e të akuzuarve dhe të akuzuarit kërkuan që të lirohen nga akuzat, pasi që në asnjë mënyrë nuk është vërtetuar fajësia në këtë gjykim.

Aktgjykim do të shpallet me 18 prill.

Në fjalën e saj, prokurorja e shteti Ervehe Gashi, kërkoi që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit pasi që, sipas saj, pa dyshim është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkohen.

“Nga deklaratat e dëshmitarëve, pa mëdyshje është vërtetuar se para ditës kritike, familjet e Jonuz Kryeziut dhe Izet Shalës, në njërën anë dhe familja e Nuhi Kryeziu në anën tjetër, i kanë pasur raportet e acarua lidhur me faktin që nuk kanë qenë në dasmën e Nuhi Kryeziut. Që të gjithë pohojnë se ditën kritike ka filluar rrahje ne mes familjarëve të tri familjeve”, theksoi ajo.

Po ashtu, edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Hajrip Krasniqi, tha për KALLXO.com se trupi gjykues ka mjaft prova dhe argumente që të akuzuarit t’i shpallë fajtorë.

Ndërsa, në fjalën përfundimtare, mbrojtësit e të akuzuarve Fadil Shala, Enver e Artan Kryeziu kërkuan që të klientët e tyre të lirohen nga akuza pasi që, sipas tyre, me asnjë provë nuk është vërtetuar se të akuzuarit e kanë kryer veprën penale të vrasjes.

Avokati i Fadil Shalës, Ethem Rugova, tha se dridhja e trupit të tashmë viktimës ka ardhur pas goditjes me çekiç, e jo me dru.

Për këtë moment, prokurorja kishte thënë në akuzë se pasi i akuzuari Fadil Shala e ka goditur Burim Kryeziun ky ka pasur një dridhje në trup dhe ka rënë në tokë.

“Dridhja e trupit të viktimës është shkaktuar nga goditja me çekan, të cilin në dorë e ka pasur Jonuz Kryeziu, ndaj ndjekjes penale të të cilit prokurorja ka hequr dorë në gjykimin e parë”, tha avokati Ethem Rugova.

Ndërsa, avokatja e Enver Kryeziut, Kosovare Kelmendi, kërkoi që i mbrojturi i saj të shpallet i pafajshëm, pasi që në asnjë moment nuk është vërtetuar se ai ka kryer veprën penale.

“Me asnjë provë, me as një dëshmitar, nuk është vërtetuar që i akuzuari Enver Kryeziu e ka kryer këtë vepër penale. Dhe, kam një bindje të plotë se trupi gjykues do të veproj drejtë dhe do ta shpallë të pafajshëm të akuzuarin Enver Kryeziu”, tha ajo.

Po ashtu, edhe Ramë Dreshaj, avokat i Artan Kryeziut, kërkoi që i mbrojturi i tij të shpallet i pafajshëm.

Fadil Shala, i cili akuzohet për veprën penale të vrasjes, është shpallur fajtor dhe është dënuar me 15 vjet burgim, ndërsa Enver e Artan Kryeziu, janë dënuar për këtë vepër penale me nga 13 vjet burgim më 11 shtator 2014.

Ndërsa, lënda është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Seanca e ardhshme është caktuar për më 18 prill, kur do të shpallet aktgjykimit.

KALLXO.com në vazhdimësi e ka përcjellë këtë rast.

http://kallxo.com/mungon-prokurorja-ne-gjykimin-per-perleshjen-ne-reshtan/

http://kallxo.com/mbi-40-vjet-burgim-per-vrasjen-mes-familjareve-te-reshtanit/

http://kallxo.com/betohet-ne-zot-dhe-djale-se-nuk-goditi-viktimen/