Konferenca e kreut të Komisionit për Matjen e Territorit | Foto: KALLXO.com

Islami: Punuam për të Vërtetën, Jo për Konfuzion

Në një konferencë për gazetarë pasi Komisioni për Matjen e Territorit paraqiti draft-raportin për madhësinë territoriale të Kosovës, akademiku Hivzi Islami, kreu i këtij komisioni, mbrojti punën e bërë.

“Na kemi punu për te vërtetën, e jo me ja bo qejfin as atij, as këtij. As për konfuzion e as shqetësime. Na nuk e kemi marrë këtë përgjegjësi kaq të madhe që ta thellojmë krizën, por ta qartësojmë të vërtetën,” tha Islami.

Territori i Kosovës, sipas komisionit, doli të ketë 10905.25 kilometra katrorë, ndërsa Islami tha se matjet janë bërë me teknologji të sofistikuar.

Islami në konferencë foli edhe për të dorëhequrin nga Komisioni për Matjen e Territorit Fitim Humolli.

“Anëtari që u tërheq dje e kemi ditë që nga fillimi që do të tërhiqet. Ai ka pasë detyrë tjetër të një postieri e interpreti mekanik të atyre që e kanë dërgu,” tha Islami.

Humolli u tërhoq dje, ngase nuk u pajtua me anëtarët tjerë të komisionit rreth matjeve, ndërsa sot pas konferencës për gazetarë edhe anëtari i komisionit Agron Luta tha se nuk është pajtuar me pjesën profesionale të raportit të hartuar.

Në konferencë foli edhe Tomor Çelaj që më herët gjatë ditës e paraqiti në detaje draft-raportin për matjet.

“Në sallë janë të prezantuara dokumentet faktografike për t’u bindur me argumentet që janë aty. Në mënyre vizuale është e përshkrume/paraqitur e vërteta,” tha Çelaj.

Sipas anëtarëve të komisionit, vërejtje dhe propozime në lidhje me draft-raportin mund të bëhen nga sot deri më 24 shkurt.

Më 24 janar, pasi Kryeministri Isa Mustafa e dha idenë e matjes së territorit, e caktoi si kryetar të komisionit për këtë matje akademik Hivzi Islamin.

http://kallxo.com/hivzi-islami-ne-krye-te-komisionit-per-matjen-e-territorit/

Opozita në Kosovë, por edhe ekspertë dhe deputetë edhe të pozitës nuk pajtohen me vijën e caktuar kufitare me Malin e Zi.

Marrëveshja e demarkacionit doli para deputetëve, por u tërhoq më 1 shtator 2016.

http://kallxo.com/qeveria-terheq-demarkacionin-nga-rendi-dites/

Kjo marrëveshje është paralajmëruar të dërgohet përsëri në Kuvend gjatë marsit të këtij viti.

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa në një intervistë për KALLXO.com të publikuar sot, tha se raporti për matjen e territorit do t’i shkojë Kuvendit, përpara se në legjislativ të dërgohet përsëri marrëveshja që përcakton vijën kufitare me Malin e Zi.

http://kallxo.com/isa-mustafa-shperfill-gazin-lotsjelles-dhe-thirrjet-per-doreheqje/